China Everbright, kompania qe po negocion per te blere Tirana International Airport
China Everbright është kompania që po negocion për të blerë Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit.
Emri i kompanisë është konfirmuar për Monitor nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA, Z. Rolf Castro-Vasquez. Ai pohon se është kompania mëmë e TIA që po zhvillon negociatat dhe në shitje është vetëm biznesi në Shqipëri. Ishte një moment i mirë për të shitur dhe kishte kërkesa, ndaj kompania mëmë vendosi të hyjë në negociata për shitje.
Pak ditë më parë u bë publik lajmi se një sipërmarrje kineze është e interesuar për të blerë TIA-n. China Everbright Limited është një kompani e shërbimeve financiare në menaxhimin e aseteve, investimeve direkte, ndërmjetësimit dhe bankingut investues në rajonin e Kinës, përfshirë dhe Hong Kongun. Kompania e saj mëmë është China Everbright Group, me pronësi shtetërore.Aktualisht pronarët e Tirana International Airport janë: DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH-31.7%; Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%; AviAlliance GmbH-47%.
Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshktroi një marrëveshje koncesionare 20 vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombetar “Nënë Tereza”, Tiranë. Pak javë më parë, qeveria shqiptare arriti marrëveshje me Tirana International Airport për heqjen e eksluzivitetit të kësaj të fundit. Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e Afatit të Koncensionit prej dy vitesh duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare.
Kjo do të thotë se Afati i Koncensionit do të shtyhet deri më datë 2027. Më tej, në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda, Afati i Koncensionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore, siç thuhet në Ndryshimin e Marrëveshjes së Koncensionit.