Secondary Adv

Rritet ndjeshem kredia e re ne qershor, kryeson ajo per biznesin

Kredia për ekonominë shënoi një rritje të ndjeshme gjatë muajit qershor.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e kredive të reja të disbursuara nga sektori bankar arriti në 29.4 miliardë lekë, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më par.

 

Rritja e lartë e qershorit bëri që edhe vlera progresive e kredisë së re për 6-mujorin e parë 2022 të kthehet në rritje. Për gjashtë muaj, sektori bankar dha 139.6 miliardë lekë, në rritje me 2.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Shifrat tregojnë se ecuria e kredisë këtë vit po shfaqet më e mirë se pritshmëritë. Rritja e shpejtë e normave të interesit vitin e kaluar besohej se do të kishte një efekt në frenimin e kreditimit për ekonominë, por deri tani ky efekt ka qenë vetëm i pjesshëm.

 

Një ndikim në vijimësinë e kreditimit duket të ketë pasur ngadalësimi i procesit të normalizimit monetar nga Banka e Shqipërisë. Norma bazë e interesit është rritur vetëm njëherë këtë vit, në nivelin 3%. Ky tregues qëndron ndjeshëm poshtë nivelit të Eurozonës dhe vendeve të rajonit.

 

Kjo është reflektuar në një korrigjim në rënie të yield-eve të bonove dhe obligacioneve, pas rritjes së shpejtë të gjysmës së dytë të vitit 2022. Një ecuri e tillë është përcjellë edhe në ngadalësimin e rritjes së normave të interesit për depozitat dhe kreditë e reja.

 

Në tërësi, shtrëngimi i politikës monetare po rezulton shumë më i moderuar nga sa pritej dhe kjo po nxit vijimësinë e rritjes pozitive të kreditimit.

 

Nga ana tjetër, edhe kërkesa e ekonomisë duket e shëndetshme, me ritme rritjeje më të mira se parashikimet, të mbështetura sidomos nga turizmi dhe sektori i pasurive të paluajtshme.

 

Rritja e kredisë gjatë muajit qershor u mbështet sidomos nga segmenti i biznesit, ku kredia e re arriti vlerën e 20.1 miliardë lekëve, 35% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Kjo ka bërë që edhe ecuria progresive e 6-mujorit të kthehet në rritje, në vlerën e 87.4 miliardë lekëve, me 0.4% më shuëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Ecuria e kreditë vazhdon të jetë në rritje edhe për segmentin e individëve. Megjithëse qershori solli një rënie krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, për 6-mujorin portofoli i kredisë së re për individë rezultion në rritje me 2.3%.

 

Shifrat e kredisë duken pozitive edhe duke pasur parasysh efektin tkurrës që ka dhënë mbi vlerën e portofolit forcimi i Lekut në kursin e këmbimit, që në mesin e këtij viti arriti një mbiçmim vjetor dyshifror.

 

Në mungesë të forcimit të lekut, rritja e portofolit të kredisë do të kishte qenë ndjeshëm më e lartë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 713.3 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 1.6%.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/qershori-i-jep-shtyse-te-forte-kredise-se-re-6-mujori-mbyllet-ne-rritjef/


Më të lexuarat