Shqiptaret te pasiguruar, Janar-Qershor 2023 jane paguar 14 mln euro per fatkeqesite natyrore
Zjarret edhe këtë vit “goditën” vendin, në një kohë që shumë pak shqiptarë janë kujdesur të sigurojnë prej tyre pronat e pasuritë.
Në total, që prej janarit të këtij viti, shqiptarët kanë paguar rreth 14 milionë euro për mbrojtjen nga zjarri e fatkeqësitë natyrore.
Megjithëse në rritje me 22% krahasuar me vitin e kaluar, shifra mbetet shumë e ulët duke parë rreziqet me të cilat përballen çdo vit familjet shqiptare, në mënyrë të veçantë ato më të ekspozuarat ndaj rrezikut të zjarreve e përmbytjeve.
Të dhënat vijnë përmes Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, sipas të cilit, në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë muajit janar-qershor 2023 siguruan mbi 2,4 miliardë lekë të ardhura në total, afërisht 24 milionë euro.
Vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 68.05%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 23.66% të totalit.
Duhet nënvizuar se edhe për këtë nivel pagesash, përgjegjëse kryesore janë bankat, të cilat detyrojnë kredimarrësit të sigurohen për miratimin e huave.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë muajit janar-qershor 2023, vihet re një rritje prej 22.34% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.46% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me muajin janar-qershor 2022.
Ndërkaq, primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar-qershor 2023 arritën rreth 4,9 miliardëë lekë, rreth 50 milionë euro, 20.37% më shumë se në muajin janar-qershor 2022. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 2.27% krahasuar me muajin janar-qershor 2022.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë muajit janar-qershor 2023, patën një rritje me 20.31% kundrejt muajit janar-qershor 2022./Burimi: Scan TV