Secondary Adv

Kredia per shtepi eshte rritur me 41 per qind ne tre vjet

Ecuria e tregut të pasurive të paluajtshme është e lidhur ngushtë me shëndetin e sektorit bankar në vend.

 

Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka një rol thelbësor në tendencat e tregut. Për ekonomitë e konsoliduara, ky rol është më i rëndësishëm, por edhe në tregje me peshë të rëndësishme të burimeve të tjera të financimit, kredia bankare mbështet një pjesë të madhe të kërkesës.

 

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, ashtu si periudhën e kaluar, më shumë se gjysma (56%) e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 80% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

 

Ndërkohë, statistikat tregojnë se kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme është rritur me ritme të shpejta në vitet e fundit, sidomos në segmentin e individëve, por edhe në atë të biznesit.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të tremujorit të parë 2023, portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme arriti në 171.6 miliardë lekë.

 

Krahasuar me një vit më parë, portofoli i kredisë për shtëpi të individëve është rritur me 12.7%, ndërsa në harkun e tre viteve të fundit, portofoli është zgjeruar me 40.8%.

 

Rritja e zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit do të ishte edhe më e lartë, duke pasur parasysh që më shumë se gjysma e portofolit është në valutë të huaj. Kredia për blerjen e banesave dominon strukturën e portofolit të individëve, me 67% të totalit.

 

Rritja e kredisë për blerjen e banesave është nxitur nga aktorë të ofertës dhe kërkesës. Oferta e bankave për këtë produkt ka qenë e lartë dhe tërheqëse, ashtu si dhe konkurrenca mes tyre.

 

Fokusi i lartë te kredia për shtëpi shpjegohet, në radhë të parë, me strategjinë për të diversfikuar portofolin e kredisë dhe për të ulur përqendrimin në segmentin e biznesit, pas mësimeve që dha kriza e kredive me probleme.

 

Kredia për shtëpi është një produkt që mundëson shpërndarje më të mirë të rrezikut dhe rritje të qëndrueshme të portofolit, falë afatit të gjatë të maturimit dhe amortizimit më të ngadaltë.

 

Një faktor shumë thelbësor ishte edhe rënia e normave të interesit në nivelet minimale historike. Çmimi i lirë i kredisë dhe oferta e lartë e bankave u bë një faktor joshës që shumë familje të zgjidhnin të blinin një banesë të tyren, ndërsa shumë të tjerë ta shihnin blerjen e një banese të dytë si investim të mirë.

 

Ky perceptim u forcua edhe më shumë pas pandemisë, kur çmimet e banesave nisën një cikël të rritjes së shpejtë. Rritja e çmimeve, nga ana tjetër, rriti vlerën mesatare të kredisë dhe ushqeu më shumë rritjen e kredisë bankare.

 

Kredia për prona kryeson edhe te bizneset

 

Kredia për pasuri të paluajtshme në vitet e fundit është bërë produkti dominues edhe në portofolin e kredisë për biznesin. Që prej vitit 2020, portofoli i kredisë në këtë segment është rritur me 21%. Megjithatë, ritmet e rritjes në segmentin e bizneseve janë ndjeshëm më të vogla.

 

Në fund të tremujorit të parë të këtij viti, kredia për pasuri të paluajtshme për bizneset arriti në 115.6 miliardë lekë, në rritje me 1.45% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Megjithatë, pavarësisht ngadalësimit të dukshëm në vitin e fundit, edhe për bizneset, kredia për pasuri të paluajtshme zë peshën kryesore në portofolin e kredisë, me 28.5% të totalit.

 

Rritja e tregut të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit, me sa duket, ka rritur edhe interesin e bizneseve për investime të reja në prona. Perceptimi pozitiv rreth zhvillimeve në tregun e pronave duket se ka nxitur edhe investimet për ndërtime me përdorim të natyrës tregtare apo industriale.

 

Rritja e investimeve në prona është gjithashtu mjaft e lidhur me rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë nga pandemia dhe me rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese të bizneseve, duke shtuar lehtësitë në drejtim të investimeve të reja, përfshirë këtu edhe pasuritë e paluajtshme.

 

Ndikim të konsiderueshëm mund të ketë dhënë edhe rritja e shpejtë e sektorit të turizmit, që ka rritur interesin e bizneseve për të investuar në struktura të reja akomoduese.

 

Ashtu si tek individët, edhe normat e ulëta historike të interesit dhe disponibiliteti i lartë i sektorit bankar për të kredituar kanë ndikuar në nxitjen e investimeve të biznesit në prona. /Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/cmimet-e-pronave-a-rrezikohet-flluska/)


Më të lexuarat