
Vetem 18 per qind e ashensoreve te rregjistruar dhe koaluduar, pjesa tjeter jashte kontrollit
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se nga rreth 10 mijë ashensorë aktivë në vend, vetëm 18% e tyre janë të regjistruar dhe të koaluduar.
Pjesa tjetëre tyre, rreth 82% funksionon në kushte paligjshmërie.
Sipas Inspektoriatit Shtetëror për Mbrojtjen e Tregut, i cili është përgjegjës edhe për garantimin e sigurisë së ashensorëve dhe regjistrimin e tyre,
Vetëm 1804 ashensorë janë të regjistruar pranë këtij institucioni. Rreth 82% e ashensorëve në vend mbeten jashtë radarëve të kontrollit.
Inspektoriati shtoi gjithashtu se ankesat për problemet me ashensorët kanë qenë të shumta, veçanërisht në qytetin e Tiranës.
“Nga viti 2019 deri në fund të vitit 2022 janë kryer 1344 inspektime të planifikuara dhe nga këto kontrolle janë vërejtur problematika të shumta,” tha Inspektoriati në një përgjigje me shkrim.
ISHMT ka vendosur 467 masa administrative, duke nisur nga gjobat e deri tek ndalimi i përdorimit të ashensorit.
Legjislacioni shqiptar përcakton si persona përgjegjës për funksionimin e ashensorit ndërtuesin ose administratorin e pallatit, të cilët mbartin edhe detyrimin ligjor për të bërë regjistrimin e tij.
Të njëjtët persona duhet gjithashtu që të kujdesen për të bërë vlerësimin e konformitetit nga një organ i miratuar – çka për më shumë se 80% e ashensorëve në vend nuk ka ndodhur. Sipas Inspektoriatit Shtetëror për Mbrojtjen e Tregut, personat përgjegjës sipas ligjit nuk i kryejnë detyrimet e tyre.
“Personat përgjegjës për kryerjen e ekzaminimit teknik dhe regjistrimin e ashensorit nuk janë të ndërgjegjësuar,” tha ISHMT.
Inspektorati ka kërkuar ndryshime ligjore për sigurinë e ashensorëve, duke propozuar zgjerimin e rrethit të personave përgjegjës.
“…Parashikimin e detyrimeve ligjore për instaluesit dhe mirëmbajtësit e ashensorëve, pasi janë hallka kryesore për sa i përket instalimit dhe mirëmbajtjes së ashensorëve,” shtoi ISHMT.
Kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve, Bledar Bajrami i tha BIRN se shkaqet kryesore të avarive në ashensorë janë konsumimi i tyre dhe mungesa e kontrolleve, ku çdo javë regjistrohen aksidente për shkak të problemeve me ashensorët.
“Në shumicën e rasteve, qytetarët bllokohen në ashensor për shkak të shkëputjes së energjisë elektrike dhe duke mos mbajtur të karikuar baterinë e ashensorit.
Por ka pasur dhe raste që kjo bateri nuk ka qenë fare ose ka qenë jashtë funksionit dhe nuk është ndërruar,” tha Bajrami për BIRN.
“Ka disa lloj ashensorësh që janë me presion vaji. Nga orët e punës që bën presioni i vajit bie dhe pompa sforcohet.
Mbipesha luan një rol negativ, pasi nga sforcimi, vaji nis dhe rrjedh mbi kabinë. Dhe në rastin më të parë që ka një shkëndijë elektrike për shkaqe nga më të ndryshme, mund të kthehet në katastrofë për personat që janë brenda,” tha Bajrami për BIRN.
“Ka pasur edhe këputje kavosh, pasi nuk është bërë kolaudimi i duhur. Përveç amortizimit nga përdorimi, problemet mund të vijnë edhe nga faktorë të jashtëm, siç mund të jetë lagështira,” përfundoi ai.
Më të lexuarat








