Qeveria ka parashikuar edhe këtë vit të rrisë pensionet. Por më shumë sesa rritje, shtesa që do të përfitojnë pensionistët nuk është gjë tjetër veçse indeksim.
Indeksimi Kreu i Drejtorisë së Sigurimeve dhe Pagave në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, Astrit Kuka, në një prononcim dhënë për gazetën bën me dije se indeksimi i parashikuar pritet të jetë në kufijtë nga 1.8 deri në 2 për qind. Nga ky vendim, që do të finalizohet në muajin korrik, pritet të përfitojnë rreth 640 mijë pensionistë që janë aktualisht në skemë.
“Do të ketë vetëm indeksim, jo rritje. Ligji i ri nuk parashikon rritje pensionesh dhe kjo është pozitive për skemën. Ne do të bëjmë indeksimin në masën 1.8 deri 2 për qind, sepse kaq rritje mund ta përballojmë edhe financiarisht. Por, nga ana tjetër, duhet të them se kjo nuk është përfundimtare, sepse varet nga norma e inflacionit. Kjo rritje pritet të realizohet në muajin korrik, sikundër edhe vjet. Atë e përfitojnë të gjithë pensionistët, afërsisht 640 mijë që janë aktualisht pjesë e skemës”, sqaron Kuka. Ndërkohë, ende mbetet mister fatura që do të përdoret për përballimin e kostos.
Skema Përgjatë tri viteve të fundit nuk është regjistruar rritje e masës së pensioneve, por vetëm indeksim. Një vit më parë, pensionet u rriten me 1.4% dhe qeveria akordoi një fond prej 554 milionë lekësh. Kjo rritje mbetet më e ulëta e regjistruar në shumë vite. Ndërsa në 2014-n qeveria indeksoi me 2 për qind pensionet. Gjatë një interviste dhënë më herët për gazetën, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, tha se skema e re që ka nisur të aplikohet nga 1 janari i 2015-s nuk favorizon rritjen, por vetëm indeksim. Masa e pensioneve, sipas Klosit, përcaktohet mbi bazën e kontributeve që secili paguan.
“Me reformën e re të pensioneve ka një ligj të ri që nuk lejon rritje të pensioneve, por vetëm indeksim. Nuk ka më pensione të sheshta sikundër ka qenë më parë, por ka pensione me kontribute të gjithsecilit në skemën e pensioneve. Pra çdo qytetar i këtij vendi tashmë merr pension sipas kontributeve që ka dhënë çdo vit. Kjo sjell një rritje, jo më me 2 mijë lekë apo 3 mijë lekë, siç bënte Berisha më parë, duke gënjyer qytetarët se po bënte rritje, kur ka qenë vetëm indeksim. Me formulën e re që ka nisur të aplikohet, do të ketë shtim të masës së pensionit deri edhe në 40 për qind, sepse këto janë rritje që vijnë për shkak të kontributeve të gjithsecilit”.