Secondary Adv

Shtrenjtimi i karburanteve ne Kosove, vendoset cmim tavan per derivatet

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e çmimit tavan për derivatet pasi prej disa ditësh, çmimi i tyre është rritur.

 

Por, ky vendim është kundërshtuar ashpër nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, duke thënë se kjo do të ketë efekte shkatërruese për kompanitë e naftës.

 

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë vendim prej disa ditësh për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.

 

Në njoftim thuhet se ky vendim është marrë me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg.

 

“Vendimi është bazuar në monitorimin e rregullt të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut,

 

lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror”.

 

MINT shton tutje se “kjo përbën bazë për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse sipas Ligjit Nr.08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtrishme dhe Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr.03/2022

 

Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”.

 

Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.

 

Mirëpo, Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan për naftë e benzinë, duke thënë se kjo do të ketë efekte shkatërruese për kompanitë e naftës.

 

Shoqata ka thënë se ky vendim është marrë pa asnjë analizë të ndikimit të vendimeve të 2022-s, pa asnjë justifikim, derisa shtoi se kjo i obligon kompanitë sërish të punojnë me humbje që për pasojë kanë falimentimin e tyre.

 

“Industria e naftës për shkak të inflacionit të përgjithshëm, është duke u ballafaquar me rritje të enorme të kostove të produkteve të naftës qoftë të pagave, normave të interesit, shpenzimeve të mirëmbajtjes etj.

 

Kjo, e kombinuar me kufizim të marzhës së fitimit do të ketë shkatërruese për kompanitë e naftës”.

 

Ministres Rozeta Hajdari, që udhëheq me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) iu kërkua të shfuqizojë vendimin.

 

Ministria e Tregtisë ka kthyer masën e kufizimit të fitimit për naftëtarët, pas evidentimit se rritja e çmimeve nga ana e tyre nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror.

 

Çmimet e derivateve në Kosovë sërish kanë shënuar rritje gati deri në 20 centë për litër.

 

Çmimi për një litër naftë kushton rreth 1 euro e 40 centë, ndërsa një litër benzinë është tregtuar të premten deri në 1 euro e 33 centë në tregun e Kosovës.

 

Disa javë më parë çmimet e derivateve patën rënë deri 1 euro 15, dhe 1.20 centë për një litër naftë.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/shtrenjtohen-karburantet-cmimi-tavan-perplas-qeverine-dhe-naftetaret/)


Më të lexuarat