Vendim, qeveria trefishon shperblimet per cdo dekorate qe jepet ne ushtri
Qeveria rrit masën e shpërblimit për medaljet që jepen në Forcat e Armatosura. Më të vlerësuarat sipas hierarkisë janë dekoratat që jep ministri i Mbrojtjes.
Me vendimin që ishte në fuqi, që nga viti 2004, medaljet kishin shpërblime që varionin nga 2 mijë lekë deri në 14 mijë lekë, ndërsa tani vlera e tyre trefishohet. Kështu, “Medalja e nderit” do të shpërblehet me 40 000 lekë, “Medalja e mirënjohjes” 30 000 lekë, medalja “Në shërbim të atdheut” 30 000 lekë, medalja “Për shërbime të shquara” 20 000 lekë, si dhe medalja “Për shërbime të larta”, 20 000 lekë.
Për medaljet që jep shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, qeveria vendosi që “Medalja shpëtimtari” të shpërblehet me 30 000 lekë, “Medalja e trimërisë” 30 000 lekë, “Medalja e sakrificës” 20 000 lekë, “Medalja e karrierës” 5 000 lekë, medalja “Për shërbime të veçanta” 10 000 lekë, medalja “Pjesëmarrje në operacione humanitare” 10 000 lekë, medalja “Pjesëmarrje në emergjenca civile” 10 000 lekë. Grupi i tretë i medaljeve janë ato që japin komandantët e forcave dhe komandantët e komandave mbështetëse. Në këtë grup, “Medalja e ushtarit” ka shpërblimin 10 000 lekë; “Medalja e pilotit” 10 000 lekë; “Medalja e marinarit” 10 000 lekë; “Medalja e dijes” 10 000 lekë; “Medalja e mbështetjes” 10 000 lekë; “Medalja e karrierës” 5 000 lekë.
Sipas vendimit të qeverisë, shpërblim për medalje do të marrin vetëm ushtarakët aktivë dhe punonjësit civilë të strukturave organike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Efektet financiare për shpërblimet përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes. Vendimi i ri heq disa medalje që i jepnin komandantët (qitës i dalluar, medalje për repartin, medalje e komandantit etj.), ndërkohë që shtohet medalja e mirënjohjes dhe medalja e nderit që jepen nga ministri.