Secondary Adv

BSH nuk do te nderhyje momentalisht ne kursin e kembimit, Mban normen baze ne 3 per qind

Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë për momenin në kursin e këmbimit valutor. 

 

Ky është vendimi që është marrë nga këshilli mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë lexuar nga Guvernatori Genti Sejko. 

 

Por në përgjigje të shoqatës së eksportuesve të cilët kërkojnë që BSH të ndërhyjë në tregun valutor, Banka e Shqipërisë thotë se po monitoron luhatjet e kursit të këmbimit gjatë muajve të fundit dhe tregon se kur do të ndërhyjë.

 

"Këshilli mbikqyrës thekson se mbetet e vëmendshme ndaj shpejtësisë së forcimit dhe luhatjeve të shtuara të kurseve të këmbimit gjatë muajve të fundit.

 

Nëse zgjerohen më tej këto fenomene mund të dëmtojnë funksionimin normal të tregut valutor dhe objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar.

 

Nëse do të konstatohen këto premisa BSH rezervon të drejtën të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor në përmbushje të mandatit të saj ligjor" deklaroi Sejko.

 

Banka e Shqipërisë gjithashtu gjykon se pikërisht forcimi i lekut i ka mundësuar ekonomisë shqiptare të ketë një nga nivelet më të larta të rritjes ekonomike në rajon.

 

"Këshilli gjykon se forcimi i kursit të këmbimit i ka mundësuar ekonomisë shqiptare të ketë në një mënyrë të njëkohshme një nga nivelet më të ulëta të inflacionit, normave të interesit dhe kostot të financimit dhe një nga nivelet më të larta të rritjes ekonomike në rajon"

 

Nuk ndryshon norma bazë e interesit as e kredive

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sërish sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3%.

 

Guvernatori, Gent Sejko, tha se faktorët përcaktues në vendimin për të mos rritur normat e interesat janë ngadalësimi i inflacionit, forcimi i lekut në kursin e këmbimit dhe natyra shtrënguese e politikës fiskale.

 

“Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo vendimmarrje u mbështet nga ecuria pozitive e zhvillimeve të pritura ekonomike në skenarin bazë, nga balanca më neutrale e rrezikut, si dhe nga forcimi i kursit të këmbimit dhe përshpejtimi i trendit të konsolidimit fiskal gjatë gjysmës së parë të vitit.

 

Vendimmarrja e BSH

 

-Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në në nivelin 3 %

-Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në nivelin 4 %

-Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës një ditore  në nivelin 2 %

 

Skenari i BSH: Rritja ekonomike do vijojë

 

Sipas skenarit bazë të Bankës së Shqipërisë ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë 3 mujorëve në vazhdim edhe pse do të ketë një ngadalësim të lehtë si pasojë e ngadalësimit ekonomik në eurozonë dhe kushteve më të shtrënguara të financimit si në vend dhe në botë.

 

Rritja ekonomike pritet të kthehet pranë nivele të saj historike në horizontin afatmesëm.Gjithashtu inflacioni pritet vijojë të bjerë gradualisht gjatë 3 mujorëve të ardhshëm e të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm.

 

Mund të ndërhyjmë në tregun valutor, nëse luhatjet e forta vazhdojnë!

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pranoi se luhatjet e kursit të këmbimit sidomos pas muajit korrik janë bërë më të forta dhe po jep sinjale rreziku.

 

Nëse këto luhatje do të vazhdojnë, Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë ndërhyrje të përkohshme për stabilizimin e tregut ose rritje të blerjeve të planifikuara të Euros për nevojat e rezervës valutore.

 

Forcimi i kursit të këmbimit ka ardhur nga përmirësime strukturore të ekonomisë shqiptare. Vlerësim i monedhës kombëtare kundrejt valutave që ka nisur me kohë.

 

Është trend që ka ardhur si pasojë e përmirësimeve strukturore dhe bilanci i pagesave. Burimi janë: Remitancat, turizmi dhe investimet e huaja, sidomos blerja e pasurive të patundshme nga jo rezidentët. Këto burime formale që ne marrim në analizë konfirmojnë justifikojnë një forcim të kursit të këmbimit.

 

Jemi në pikun e sezonit turistik dhe historikisht është vënë re një forcim i kursit të këmbimit në sezon.

 

 

Në mungesë të një regjimi të lirë të kursit të këmbimit do të kishim norma shumë më të larta interesi, kosto më të larta të shtuara për biznesin dhe qytetarët dhe norma më të larta interesi të kredisë, do të kishim probleme në performancën në kthimin e kredive, stabilitetin financiar e të tjera.   

 

BSh e shikon këtë në konteksin makro efektin e kursit të këmbit. BSH e ka të përcaktuar me rregullore kur ndërhyn, ndërhyn për efekt të rezervës valutore dhe stabiliteti i çmimeve dhe financiar.

 

Në rast se këto luhatje do të vazhdojnë, Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë ndërhyrje të përkohshme për stabilizimin e tregut ose rritje të blerjeve të planifikuara të Euros për nevojat e rezervës valutore.

 

"Kursi i këmbimit po monitorohet me kujdes. Çdo moment ka një ndjekje dhe analizë të kursit të këmbimit nga departamenti i BSh-së. Muajt e fundit është vënë re një mbiçmim i përshpejtuar.

 

Një mbiçmim kaq i shpejtë i kursit të këmbimit, krijon disbalanca e shton rreziqet për ekonominë. Në këtë kontekst BSh po e shikon me vëmendje ecurinë e kursit të këmbimit dhe për të shmangur këto rreziqe mund të konsiderojë të shtojë blerjet rezervë në pjesën e mbetur të vitit.

 

Kjo është ajo çka po marrin në konsiderët në raport me mbiçmimin e përshpejtuar të kursit të këmbimit gjatë korrikut. Pra është më i shpejtë se produktiviteti dhe rritja e ekonomisë. Sigurisht që jep sinjale rreziku në këtë moment" tha Sejko.

 

Gjithashtu Guvernatori bëri të qartë se deri tani gjatë vitit 2023, Banka e Shqipërisë ka blerë 170 milionë euro në tregun e brendshëm valutor të planifikuara për rritjen e rezervës.

 

"Deri më sot kemi tërhequr nga tregu për këtë vit 170 milionë euro. Duke parë ecurinë e kursit të këmbimit po rikonsiderojmë të rrisim blerjet për efekt të rezervës valutore të BSH për pjesën tjetër të vitit.

 

Do ta monitorojmë me kujdes dhe do të reagojmë, por qartësisht them se regjimi i lirë i kursit të këmbimit është amortizues automatik i goditjeve dhe instrument për të ruajtur balancat makroekonomike.

 

Situata është komplekse dhe ne do të përpiqemi që brenda kuadrit rregullator të bëjmë maksimumin të ruajmë balancat macroekonomike e të sigurojmë një vijimsi të rritjes macroekonomike"./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat