Gjykata e Kosoves shtyn vendimin per heqjen e licences se Klan Kosoves
Gjykata Komerciale e ka aprovuar ankesën e Klan Kosovës, duke e shtyre vendimin e MINT-it rreth pezullimit të certifikatës së biznesit.
Kështu ka bërë të ditur në vendimin e publikuar sot.
“Aprovohet si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve.
Shtyhet ekzekutimi i Vendimit nr.4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11, i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë,
derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhet në vendim.
Gjykata ka thënë se në rastin konkret sipas certifikatave të përshkruara, rezulton se paditësi ka bërë ndryshimet në regjistrat e biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, derisa thuhet gjithashtu se gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese nuk bie ndesh me interesin publik.
“Gjykata po ashtu vlerëson faktin se paditësi e ushtron funksionin e ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale dhe përderisa vazhdimi i ushtrimit të njëjtit funksion nuk përbën shkelje të interesit publik,
gjykata në këtë rast vlerëson se mos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese do të ishte pikërisht në kundërshtim me interesin publik dhe garancioneve që përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë për lirinë e mediave”, thuhet më pas në vendim./Burimi: abcnews.al