Kerkesat per ankorim ne portet shqiptare jane rritur me 45 per qind, mbizoterojne te huajt
Shqipëria po sheh rritje të numrit të turistëve që duan ta eksplorojnë bregdetin me jaht.
Arian Ruhi, drejtor teknik i Marina Orikum, pjesë e Concord Investment nënvizon se rezervimet për ankorim në këtë marinë gjatë këtij viti kanë shënuar rritje me 45% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë pritshmëritë janë pozitive për pjesën e mbetur të sezonit. Sipas tij, hyrja e jahteve me flamuj të huaj dominon kryesisht në marinë.
Numri i atyre me flamur shqiptar mbetet ende i vogël dhe larg potencialit që ka në fakt tregu shqipfolës, që llogaritet në rreth 800 varka dhe jahte.
Marina Orikum është i vetmi port turistik i strukturuar për ankorimin e jahteve në bregdetin shqiptar. Një vit më parë, kjo strukturë ofronte shërbime ankorimi vetëm për 60 varka dhe jahte.
Aktualisht Marina Orikum ofron ankorime për 220 jahte, të gjatësisë nga 10.5 deri në 30 metra.
Këtë vit ka një rritje me 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Hyrja e jahteve me flamuj joshqiptarë është faktori mbizotërues në këto numra.
Kontratat për ankorime vjetore mbulojnë 30%. Ndërsa jahtet në tranzit kanë rritur kohën e qëndrimit në marinë, nga 1 deri në 3 ditë, në 7 deri 10 ditë.
Jahtet me flamuj të huaj që ankorojnë në marinë janë francezë, anglezë, gjermanë, zviceranë, natyrisht nuk mungojnë dhe italianët. Fatkeqësisht, numri i jahteve me flamur shqiptar është ende i vogël.
Investimet ne projektin Marina Orikum
Projekti përfundimtar parashikon 850 vende ankorimi për jahte deri në 100 metra, pra do të jepen shërbime edhe për segmentin Megayacht.
Ky projekt bën që Marina Orikum të përfshihet në projektet e marinave elitare në Adriatik dhe Jon.
Zhvillimi tërësor, duke konsideruar përveç marinës edhe projektin rezidencial, do të hapë mbi 1500 vende pune.
Punimet për zbatimin e projektit do të fillojnë në vjeshtën e 2023. Concord Investment ka gjithashtu koncesionin e Marina Limion në Sarandë. Si ka ecur ky projekt dhe kur pritet të përfundojë?
Realizimi i dy projekteve, atij në Sarandë dhe këtij në Vlorë janë zhvillime të rëndësishme për industrinë nautike detare në Shqipëri.
Brenda një trevjeçari llogaritet që t’u jepet shërbime ankorimi 1300 jahteve, duke konsideruar të dy marinat.
Aktualisht Marina Limion ofron shërbime ankorimi për 70 jahte me gjatësi nga 16 deri në 70 metra. Marina Limion ofron edhe shërbime bunkerimi shumë i kërkuar nga kapitenët e segmentit MegaYacht.