
Heqja e TVSH, regjistrohen 52 mjete turistike me flamur shqiptar
Lundrimi në ujërat territoriale shqiptare nga mjete turistike është rritur me shpejtësi gjatë këtij viti.
Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Detare, Pavlin Ndreu, thotë se interesi ka ardhur si efekt i rritjes së vëmendjes ndaj Shqipërisë si një destinacion turistik.
Edhe industria detare e lidhur me turizmin në vend po sheh rritje të numrit të mjeteve të posaçme për këtë sektor.
Në 6-mujorin e parë të 2023 janë regjistruar 163 mjete turistike, ku bëjnë pjesë nga motorët e detit deri te mjetet deri në 15 metra gjatësi lineare.
Ndërkohë heqja e TVSH-së për jahtet që regjistrohen në flamurin shqiptar ka nxitur që të regjistrohen të paktën 52 mjete turistike të mesme, ndërkohë që një pjesë janë ende në proces.
Kufizues në këtë aspekt, sipas Ndreut, është mungesa e porteve të jahteve, diçka që pritet të marrë zgjidhje me ndërtimin e disa projekteve që janë në faza të ndryshme zbatimi.
Rritja e volumit të mjeteve që lundrojnë në ujërat shqiptare ka bërë që Drejtoria e Përgjithshme Detare të përshtasë punën e saj në lidhje me monitorimin por edhe masa shtesë në funksion të rritjes së sigurisë.
deri më 31 dhjetor 2022 kemi 3377 mjete turistike të vogla dhe të mesme dhe në 6-mujorin e parë të 2023 janë regjistruar 163 mjete turistike, ku bëjnë pjesë nga motorët e detit deri te mjetet deri në 15 metra gjatësi lineare.
Nga ky numër total, 847 janë motorë uji dhe në 6-mujorin e 2023 janë regjistruar edhe 106 motorë uji të tjerë, duke e çuar numrin në 953, një shifër e konsiderueshme dhe në rritje çdo ditë. Po kështu janë rreth 168 anije peshkimi funksionale që kryejnë aktivitet peshkimi në ujërat tona nga 530 të regjistruara.
Duhet të theksojmë se dy vitet e fundit janë rritur ndjeshëm edhe kantieret e prodhimit të mjeteve të vogla dhe të mesme si varka druri, gomone të cilat janë sipas standardeve të BE-së.
Kemi edhe kantiere për prodhimin e anijeve të peshkimit dhe janë 3 kantiere të licencuara dhe të miratuara të cilat kanë prodhuar anije peshkimi, të cilat po rrisin sasinë dhe cilësinë e flotës së peshkimit.
Janë 6 kantiere për prodhim mjetesh turistike të vogla dhe të mesme dhe kërkesat janë në rritje për kantiere prodhimi të mjeteve të drurit, rezinës dhe gomoneve apo atyre me vela. Kjo tregon rilindjen e prodhimit të mjeteve turistike në vend me kosto më të ulet dhe me cilësi e standarde të BE-së.
Ashtu siç ka kërkesa për regjistrim të mjeteve lundruese turistike ka shumë kërkesa për leje drejtimi të këtyre mjeteve. Në Drejtorinë e Përgjithshme Detare kemi dy komisione të përhershme, të cilët marrin në testim personat që kryejnë kurset e trajnimit pranë qendrave të miratuara në shkallë vendi.
Sot janë 12 qendra trajnimi të cilat përgatisin dhe trajnojnë persona që duhen të pajisen me leje drejtimi të mjeteve lundruese. Risi është se ky është viti i dytë që ne kemi bërë ndryshimin e rregullores së lejeve të drejtimit duke i klasifikuar në katër klasa A, B, C, D ku A e B janë për motorë deti dhe mjete të vogla turistike, ndërsa C e D janë për mjete skafe mbi 15 m, jahte dhe anije peshkimi.
Kjo ka sjellë qartësim dhe saktësim të lejeve të drejtimi, duke përcaktuar qartë se cilin mjet mund të drejtojë një person i pajisur me lejen e drejtimit dhe duke e bërë më të lehtë edhe kontrollin dhe inspektimin nga policia e kufirit dhe AKB, Agjencia Kombëtare e Bregdetit në vendbazime.
Sot janë 9015 leje drejtimi të mjeteve lundruese të miratuara nga komisioni dhe kërkesa është e lartë, sidomos në fillim të sezonit dhe gjatë muajve të verës, duke na krijuar mbingarkesë në personel dhe kemi shtuar nga një në dy herë në javë ditët e marrjes në testim.
Vihet re një rritje e theksuar edhe për leje drejtimi të kategorisë C e D duke treguar se ka shtim edhe të kërkesave për mjete lundruese mbi 15 metra e lart si skafe, jahte dhe anije peshkimi.
Saranda dhe Vlora janë zonat me fluksin më të madh turistik të mjeteve lundruese dhe po t’i referohesh edhe hartës bashkangjitur vihet re me lehtësi popullimi në këto rajone detare me mjete turistike.
Por një rritje eksponenciale kanë liqenet e Veriut si Komani dhe Vau i Dejës, të cilat kanë një fluks jashtëzakonisht të madh të mjeteve turistike.
Vetëm vitin e kaluar, në liqenin e Komanit kanë kaluar mbi 90 mijë turistë që kanë vizituar lumin e Shalës dhe destinacionet e tjera turistike.
Pritet që këtë vit, rritja të jetë mbi 35% më shumë se vitin e kaluar dhe numri i mjeteve turistike është mbi 100 vetëm në Koman.
Të paktën 3 janë tragete pasagjerësh dhe makina dhe 5 mjete të mesme për transport pasagjerësh nga Komani në Fierzë dhe anasjelltas. Problem i madh në këtë pjesë është informaliteti, pasi duhet një kontroll i fortë për sigurinë për që ofrojnë këto mjete.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/tvsh-ja-regjistrohen-52-mjete-turistike-me-flamur-shqiptar-masat-e-sezonit-veror-2/)
Më të lexuarat








