
Auditi i qeverise: Kontratat koncesionare jashte kontrollit, nuk monitorohen
Për të dytin vit Ministria e Financave ka shprehur shqetësimin se kontratat koncesionare nuk po kontrollohen dhe as monitorohen në respekt të detyrimeve të ligjore.
Drejtoria e Përgjithshme e Auditit në Ministrinë e Financave duke raportuar për rezultatet e gjetjeve në vitin 2022 ka vënë në dukje “Mungesën e monitorimit të zbatimit të kontratave koncesionare që janë në fazën e ndërtimit ose kanë hyrë në fazën e shfrytëzimit”.
Më tej auditorët referojnë mos respektimin e kushteve të marrëveshjeve lidhur me garancitë financiare të marrëveshjeve dhe mungesën e monitorimit të veprimtarisë së sektorit të oponencës teknike.
Në Ministrinë e Financave aktualisht është në funksion Drejtoria e Koncesioneve, e cila ka për qëllim monitorimin e kontratave nëse janë duke operuar në përputhje me detyrimet ligjore për të vlerësuar rrezikun fiskal që buron prej tyre.
Mirëpo misioni i kësaj drejtorie është vështirësuar për shkak se ministritë e linjës kanë humbur kontrollin mbi monitorimin e veprimtarisë së kontratave.
Në raportin e vitit të kaluar Drejtoria e Koncesioneve evidentoi se, procesi i monitorimit është ende në fillimet e tij, pasi numri dhe kompleksiteti i kontratave të koncesionit/PPP është i lartë dhe jo çdo kontratë ka të përcaktuar njësi zbatimi projekti përgjegjëse për monitorimin e saj.
Ministria e Financave vuri në dukje se mbledhja e informacionit ka hasur vazhdimisht vështirësi. Në vitin 2022 në funksion janë 228 kontrata koncesionare, por Financat siguruan të dhëna të pjesshme vetëm për 67 prej tyre.
Ndërkohë, struktura e posaçme e hetimit SPAK pas një investigimi të gjatë ka zbuluar një skemë të madhe mashtrimi me kontratat e inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës të cilat morën miliona euro nga buxheti i shtetit për investime që nuk i kishin bërë.
Pavarësisht zbulimit të skemës së mashtrimit me fondet publike dhe masës së arrestit me burg për shumë zyrtarë dh ish ministria, buxheti i shtetit në shkelje të moralit,
ligjeve të menaxhimit financiar vijoi normalisht pagesat ndaj abuzuesve vetëm për faktin se siç shpjeguan burimet në Ministrinë e Financave, njësia monitoruese në këtë rast Ministria e Infrastrukturës nuk nisi kurrë një hetim administrativ mbi kontraktorët, në bazë te të cilit do të bllokoheshin pagesat.
Gjithashtu në hetim janë edhe kontratat e koncesioneve në sektorin shëndetësor, të cilat përveçse u dhanë ndaj kompanive pa përvojë kanë tejkaluar kostot e shërbimeve parësore në shëndetësi.
Për vite me radhë PPP u shndërruan në gropa të zeza për fondet publike duke orientuar në skema mashtruese taksat e shqiptarëve në një kohë që vendi ka nivelin më të lartë të varfërisë në Europë, me mungesa të mëdha të infrastrukturës dhe hendek të lartë në cilësinë e shërbimeve në shëndetësi dhe arsim.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/auditi-i-qeverise-kontratat-koncesionare-jashte-kontrollit-nuk-monitorohen-nuk-po-respektohen-marreveshjet/
Më të lexuarat








