Qeveria do te furnizoje me energji klientet ne nevoje, Ja mekanizmi i financimit
Klientët në nevojë do të furnizohen nga OSHEE me energji elektrike sipas një kontrate të veçantë, që do të rimbursohet nga shteti.
Ky status përcaktohet në vendimin e qeverisë “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike”.Vendimi vjen në mbështetje të ligjit nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”.
Këta klientë, sipas ligjit, kanë të drejtën e përfitimit të shërbimit universal të furnizimit, “Klientët familjarë, që kanë fituar statusin e klientëve në nevojë, në përputhje me ligjin, kanë të drejtën e përfitimit të shërbimit universal të furnizimit, sipas kushteve të veçanta të furnizimit, të cilat miratohen nga ERE”, thuhet në vendimin e qeverisë. Çdo kosto shtesë, e bërë nga furnizuesi, në lidhje me kushtet e veçanta të furnizimit për klientët familjarë, sipas këtij vendimi, do të mbulohet nga tarifa për shërbimin universal të furnizimit.
Sipas ligjit, kriteret për përfitimin e statusit të klientit në nevojë marrin në konsideratë: Klientët me të ardhura më të ulëta, të cilët e përdorin energjinë elektrike për furnizimin e vendbanimit të tyre të përhershëm; klientët që kanë konsum të energjisë elektrike të lidhur në rrjetin njëfazor me një fuqi maksimale prej 16 amper; nivelin maksimal të konsumit të energjisë për person, në varësi të sezonit; mënyrën e përkrahjes së drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit.
Megjithatë, vendimi ka edhe një nen tranzitor që e bën të paqartë kohën e fillimit të efekteve për familjet në nevojë. “Brenda datës 1 janar 2018, Këshilli i Ministrave përcakton kushtet për furnizimin e klientëve të energjisë elektrike, të lidhur në nivelin e tensionit 0.4 kV, në kuadër të detyrimit të shërbimit publik”, sipas vendimit të qeverisë të datës 30 mars 2016.