Secondary Adv

Numri i kartave te kreditit ra ne 2022, dy banka kane mbi 71 per qind te tregut

Tregu i kartave të kreditit pësoi përsëri rënie vitin e kaluar, ndërsa vazhdon të dominohet nga dy banka, që zotërojnë mbi 70% të numrit total të tyre.

 

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, vitin e kaluar numri i kartave të kreditit zbriti në 112 697, në rënie për të dytin vit radhazi, me afërsisht 0.4% krahasuar me një vit më parë.

 

Edhe për vitin 2022, tregu i kartave të kredititi u dominua nga Banka Kombëtare Tregtare dhe Raiffeisen Bank Albania, që zotëronin së bashku 71.2% të tregut, në rritje të mëtejshme nga pjesa e përbashkët prej 70.5% që mbanin në fund të vitit 2021.

 

Sipas statistikave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, për vitin 2022 BKT zotëronte 39.9% të tregut sipas numrit total të kartave aktive, por pjesa e saj ka pësuar rënie prej nivelit prej 42.8% që mbante në fund të vitit 2021.

 

Raiffeisen Bank Albania vitin e kaluar shënoi një rritje në tregun e produktit, duke arritur në 31.3% të numrit të kartave, nga 27.7% që të tregut që zotëronte një vit më parë.

 

Banka e tretë në këtë treg pozicionohet Union Bank, që në fund të 2022 zotëronte 6.2% të kartave aktive, në rritje nga niveli prej 5.7% që mbante një vit më parë.

 

Në vend të katërt renditet Banka OTP Albania, me 5.85%, nga 4.2% që mbante një vit më parë. Bashkimi me Alpha Bank Albania duket se ka kontribuar në rritjen e pjesës së tregut të OTP Albania për këtë produkt.

 

Rritje regjistroi edhe Tirana Bank, që u poziconua në vendin e pestë dhe arriti në 5.7% të tregut, nga 5.3% që mbante një vit më parë. Më tej vijojnë Credins Bank, me 5.6% të tregut dhe Fibank, me 3.4%, ndërsa bankat e tjera kanë pjesë tregu mjaft të ulët, poshtë kufirit të 1%.

 

Madje, edhe banka me madhësi të konsiderueshme, si Intesa Sanpaolo apo ABI Bank, te kartat e kreditit kanë një pjesë tregu më të vogël se 1%, çka dëshmon një fokus të papërfillshëm te ky produkt.

 

Karta e kreditit është një produkt që nuk ka arritur të zhvillohet shumë në tregun shqiptar.

 

Një studim krahasues i Bankës Botërore i vitit 2020 tregoi se rreth 8% e shqiptarëve në moshë madhore zotëronin një kartë krediti, kundrejt 9.7% të boshnjakëve, 10.4% të kosovarëve, 16.7% të malazezëve, 17.4% të maqedonasve dhe 17.6% të serbëve.

 

Në Eurozonë, kjo shifër është disa here më e lartë dhe pothuajse 45% e individëve zotërojnë një kartë krediti.

 

Zhvillimi i dobët i këtij produkti mund të lidhet me prapambetjen në depërtimin e shërbimeve bankare, aq edhe me faktin se ekonomia shqiptare ka një përqindje të lartë të përdorimit të parasë fizike si instrument për transaksionet ekonomike.

 

Tregu i këtij produkti në Shqipëri duket se nuk paraqet as shumë konkurrueshmëri dhe fleksibilitet.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit e kartave të kreditit për 6-mujorin e parë 2023 (për shumat e deri në 200 mijë lekë) ishte 21.7% për kartat në Lekë dhe 18.59% për kartat në Euro.

 

Sipas bankierëve, çmimi i lartë lidhet me shkallën relativisht të lartë të rrezikut që kartat e kreditit bartin si produkte kreditore, por edhe me ekzistencën e një periudhë faljeje, brenda të cilës klienti mund ta paguajë detyrimin pa interesa.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/numri-i-kartave-te-kreditit-ra-serish-ne-2022-bkt-dhe-raiffeisen-zoterojne-mbi-71-te-tregut/


Më të lexuarat