
Kredia per biznesin vijon te dominoje, bankat me perqendrimin me te larte
Kredia për biznesin vazhdon të jetë dominuese në strukturën e portofolit të bankave shqiptare.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit të kaluar kredia në segmentin e biznesit përbënte 64.5% të portofolit të kredisë së sektorit bankar. Megjithatë, pesha e portofolit të biznesit ka pësuar rënie krahasuar me nivelin prej 66.9% që përbënte në fund të vitit 2021.
Në vitet e fundit, bankat po vendosin një fokus në rritje në segmentin retail dhe kryesisht tek kredia për individë. Veçanërisht kredia për blerjen e banesave është rritur me ritme të larta dhe kjo ka bërë që pesha specifike e portofolit të individëve të vijë në rritje.
Megjithatë, bizneset vazhdojnë të gjenerojnë dukshëm pjesën dërrmuese të volumeve të kreditimit të sektorit bankar shqiptar. Në mungesë të tregut të kapitalit, tradicionalisht bizneset kanë përdorur kredinë bankare si alternativën kryesore të financimit.
Pesha e biznesit ndaj vlerës totale të portofolit e kredisë ka diferenca të konsiderueshme mes bankave të ndryshme dhe fillon nga 50% deri në 90%.
Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se banka me peshën më të lartë të kredisë për biznesin në portofolin e saj është ProCredit Bank Shqipëri.
Në fund të vitit të kaluar, më shumë se 90% e tepricës së kredisë së ProCredit i takonte bizneseve. Peshë mjaft të lartë të kredisë për biznes në strukturën e portofolit vazhdon të ketë edhe Credins Bank, me pothuajse 82% të totalit në fund të vitit të kaluar.
Banka e tretë për nga shkalla e përqendrimit tek segmenti i biznesit është Banka Amerikane e Investimeve, me 77%, e ndjekur nga Intesa Sanpaolo Bank Albania me 71% dhe Tirana Bank, me pothuajse 68%.
Bankat e tjera pesha e kredisë për biznesin është më e ulët se mesatarja e sektorit, duke filluar nga banka e bashkuar e Shqipërisë, me 64.5%, Raiffeisen Bank, me afërsisht 58%,
Union Bank dhe Fibank, me 55% dhe në OTP Albania e BKT, që qëndrojnë pak më poshtë nivelit prej 51% dhe që mund të quhen bankat me fokusin më të madh në segmentin e kredisë retail.
Sektori bankar shqiptar ka pasur historikisht një shkallë të përqendrimi të kredisë në segmentin e bizneseve. Ky përqendrim u bë një nga shkaqet që raporti i kredive me probleme pas krizës së vitit 2008 arriti nivelet më të larta në rajon, me më shumë se 25%.
Ndikimin më të madh në këtë rritje e dhanë pikërisht kreditë e këqija të biznesit. Edhe sot, segmenti i kredisë për biznesin ka një raport të kreidve me probleme më të lartë krahasuar me atë të individëve.
Sipas të dhënave të raportit të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme për individët në fund të vitit 2022 ishte 3.8%, ndërsa për bizneset ishte 6%.
Pesha e kredisë për biznesin në portofol nuk është domosdoshmërisht tregues i përqendrimit të ekspozimeve të mëdha në pak huamarrës.
Ndërkohë që një përqendrim i tillë mund të jetë veçanërsisht tipik për bankat që kanë peshë të madhe të kredisë së për korporatat (bizneset e mëdha) banka të tjera mund ta kenë të shpërndarë kredinë për biznesin në një numër më të madh biznesesh të vogla dhe të mesme.
Megjithatë, po të kemi parasysh se në përgjithësi vlera mesatare kreditë për bizneset janë më të mëdha se ato të individëve, një peshë e lartë e bizneseve në portofolin e kredisë mund të jetë tregues i një përqendrimi më të lartë të rrezikut.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kredia-per-biznesin-vazhdon-te-jete-dominuese-ja-bankat-me-perqendrimin-me-te-larte/
Më të lexuarat








