Italia subvencionon panelet diellore per familjet, 200 milione euro fondi
Ministria e Mjedisit në Itali ka krijuar një fond prej 200 mln euro për të inkurajuar familjet me të ardhura të ulëta të instalojnë panele diellore në shtëpitë e tyre.
I ashtuquajturi “Fond i të Ardhurave të Energjisë”, u krijua me një dekret të ministrit Gilberto Pichetto dhe shuma prej 200 milionë euro do të lëvrohet për vitet 2024 dhe 2025.
Sipas institutit të statistikave, 8.9% e familjeve që banojnë në Itali janë në varfëri energjetike. Kostoja mesatare e një sistemi fotovoltaik 6 kw me akumulator, varion nga 18 mijë deri në 25 mijë euro dhe mundëson një kursim prej 75% në faturë.
Fondi do të menaxhohet nga GSE, kompania publike që ofron subvencione për burimet e rinovueshme.
Paratë janë të destinuara sidomos për Jugun e Italisë, ku 80% e burimeve do të shkojnë në rajonet Abruzzo, Basilicata, Calabria, Campania, Molise, Puglia, Sardegna dhe Sicilia.
Sistemet fotovoltaike duhet të kenë një fuqi nominale jo më pak se 2 kilovat dhe jo më shumë se 6, ose në çdo rast të mos kalojnë fuqinë nominale të marrë nga pika e lidhjes. Panelet duhet të vendosen në çati dhe sipërfaqe në pronësi të përfituesit.
“Me këtë masë po mbështesim popullsinë më vulnerabël dhe në të njëjtën kohë mbrojmë mjedisin, sepse promovojmë përdorimin e energjisë së rinovueshme.
Është një përgjigje e re e qeverisë për të zbatuar sigurinë reale dhe të barabartë të energjisë”, deklaroi ministri Gilberto Pichetto./Burimi: SCAN