Secondary Adv

Rusia rrit ne 12 per qind normat e interesit, rubla vijon renien

Rusia ka rritur normat e interesit në 12%, pasi rubla ra në vlerën e saj më të ulët në 16 muaj. 

 

Monedha ra nën 100 për dollar një ditë më parë, duke bërë që Banka Qendrore e Rusisë të mbajë një takim urgjent.

 

Banka Qendrore e Rusisë, rriti normën bazë të interesit me 350 pikë bazë, në 12%, një veprim urgjent për të tentuar të ndalojë rënien e fundit të rublës, pas një thirrjeje publike nga Kremlini për politikë më të shtrënguar monetare.

 

Presioni është rritur mbi ekonominë ruse, për shkak të rritjes së importeve, më shumë se eksportet, dhe shpenzimet ushtarake në rritje për luftën në Ukrainë.

 

“Rritja e qëndrueshme e kërkesës së brendshme, duke tejkaluar kapacitetin për të zgjeruar prodhimin, përforcon presionin themelor inflacionist dhe ka ndikim në dinamikën e kursit të këmbimit të rublës, nëpërmjet rritjes së kërkesës për importe”, tha Banka e Rusisë në një deklaratë.

 

Banka tha se “presioni inflacionist” po krijohej, por se objektivi i saj ishte të sillte inflacionin, në 4% deri në vitin 2024. Rusia është vënë në shënjestër të sanksioneve nga vendet perëndimore, pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.

 

Rubla ra pas fillimit të luftës, por u përforcua nga kontrollet e kapitalit dhe eksportet e naftës dhe gazit. Megjithatë, ajo ka humbur rreth një të katërtën e vlerës së saj, kundrejt dollarit amerikan, që kur Ukraina u pushtua.

 

Ditën e sotme, monedha u rrit pak,  në 98 rubla për dollar, por ajo mbetet shumë më e dobët se sa ishte vitin e kaluar. Nuk është hera e parë, që Banka e Rusisë është agresive me rritjen e normave të interesit.

 

Kur Rusia sulmoi për herë të parë Ukrainën, banka ngriti normat e interesit nga 9.5% në 20%, por filloi t’i ulë ato më pas.

 

Por, rritja e fundit, do të ketë vetëm një ndikim të përkohshëm, sipas Liam Peach, ekonomist i lartë i tregjeve në zhvillim në Capital Economics. “Rusia do të luftojë, për të tërhequr flukse kapitale për shkak të sanksioneve,” tha ai.

 

Analistët kanë thënë, se një faktor kryesor në dobësimin e rublës, ka qenë tregtia e Rusisë, dhe për rrjedhojë ekonomia e saj, e goditur nga sanksionet perëndimore.

 

Që nga shpërthimi i luftës, shumë vende të BE-së, që mbështeteshin në naftën dhe gazin rus, janë zotuar të heqin dorë nga importet nga vendi dhe të gjejnë furnizues alternativë.

 

Udhëheqësit e BE-së prezantuan një plan kufiri çmimesh, për të kufizuar sasinë që Rusia fiton nga eksportet e saj të naftës dhe vendi është përjashtuar gjithashtu nga Swift, një sistem pagesash ndërkombëtare, që përdoret nga mijëra institucione financiare.

 

Burimi: BBC/Monitor https://www.monitor.al/rusia-rrit-normat-e-interesit-ne-12-ndersa-rubla-bie/


Më të lexuarat