Shtrenjtohen serish karburantet ne Kosove, nje liter nafte 1.60 euro
Shtrenjtimi i karburanteve nuk ka të ndalur këto ditë në Kosovë. Tashmë një litër naftë ka arrit deri 1.60 euro.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka pranuar se këto ditë ka rritje të çmimeve për karburantet. “Çmimet në tregun e Kosovës sillen: dizelli 1.45 cent deri në 1.60 euro dhe benzina 1.42 deri 1.49 euro.
Çmimi për standardin tonë është i lartë, çmim real kishte me qenë 1 euro për litër, por kjo nuk varet nga ne pasi që çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese OPEC”.
Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marrë vendim për vendosjen e çmimit tavan për derivatet pasi tash e disa ditë çmimi i tyre është rritur. Por, ky vendim duket se nuk po ia lë shenjë uljes së çmimeve.
Javë më parë një litër naftë në Kosovë ka kushtuar deri 1.43 euro për një litër naftë dhe një litër benzinë 1.46 euro. Në njoftim thuhet se ky vendim është marrë me qëllim për mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg.
“Vendimi është bazuar në monitorimin e rregullt të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut,
lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror”.
MINT shton tutje se “kjo përbën bazë për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse sipas Ligjit Nr.08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtëritshme dhe Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr.03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”.
Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.
Ministria e Tregtisë ka kthyer masën e kufizimit të fitimit për naftëtarët, pas evidentimit se rritja e çmimeve nga ana e tyre nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/karburantet-shtrenjtohen-serish-ne-kosove-nje-liter-nafte-1-60-euro/