Guvernatori Sejko: Renia e inflacionit do jete e perkohshme
Kështu deklaroi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në takimet me personalitetet më të larta të institucioneve financiare ndërkombëtare në mbledhjet e pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore në Uashington.
Në lidhje me zhvillimet e fundit në ecurinë e çmimeve të konsumit, Sejko theksoi edhe një herë ndikimin e fortë që ka ushtruar koniunktura ndërkombëtare e çmimeve. Ai shprehu opinionin e Bankës së Shqipërisë se ecuria e inflacionit në vlerat aktuale është e përkohshme dhe shpejt ajo do të kthehet në nivelin e synuar.
Lidhur me sistemin bankar në vend, Guvernatori Sejko nënvizoi se çështja e kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore.Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në 18.2% në fund të vitit 2015. Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte dhe stimulimi i kreditimit dhe masat e marra mbështetur nga politika monetare stimuluese, e cila ka dhënë efektet e saj, duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend.