Rihapet tenderi per regjistrimin e pasurive ne fshatrat me potencial turistik
FSHZH ka rikthyer procedurën që lidhet me ekspertizën apo mbështetjen e bashkive për regjistrimin e pasurive të paluajtshme në territorin e fshatrave me potencial turistik.
Tenderi me objekt “ Studime, analiza, Masterplane (Produkt) ‘Mbështetje me ekspertizë për bashkitë për regjistrimin fillestar / përmirësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme në territorin e fshatrave me potencial turistik” është çelur këtë të hënë.
Fondi nënvizon në dokumentet shoqëruese se kjo ekspertizë do të shërbejë jo vetëm në ndihmë të bashkive për procesin por edhe për koordinimin më të mirë të investimeve në infrastrukturë në kuadër të planit operacional 7 vjeçar të këtij institucioni 2022-2028.
“Pjesë përbërëse e këtij Programi është edhe Programi “Infrastruktura Vendore Rajonale”, nëpërmjet të cilit synohet kthimi i rajoneve të Shqipërisë në vende më të mira për të jetuar si rezultat i përmirësimit të standardeve dhe cilësisë së jetesës,
si dhe krijimit të një kuadri social-ekonomik dhe institucional që do të rrisë mundësitë për realizimin e ambicieve dhe mundësive të rajoneve dhe komuniteteve lokale.
Lidhur me ketë program, bazuar në konsultimet me grupet e interesit dhe kërkesat e ardhura nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore të cilat po mbështeten nga FSHZH,
rezulton se një prej problematikave që pengon kryerjen e investimeve publike ose private është çështja e regjistrimit fillestar të të gjitha pasurive të paluajtshme private, apo shtetërore në territorin që ato administrojnë”, thuhet në dokument.
Sipas FSHZH zbatimi i këtij projekti mundëson kryerjen e procesit të regjistrimit fillestar në zonat kadastrale të territorit të fshatrave me potencial turistik, përfshirë edhe territorin e 100 fshatrave në përputhje me ligjin Nr.111/2018, “Për Kadastrën”, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
“Ky investim shtrihet në territorin e fshatrave me potencial turistike, përfshirë ato pjesë e programit të 100 fshatrave, në zonat me potencial zhvillimi dhe ku vlerësohet që ky investim është i nevojshëm për realizimin e projekteve të ndryshme të aplikuara në këto zona.
Zonat kadastrale të përcaktuara përfshijnë 4 zona në të cilën do të kryhet procesi i regjistrimit fillestar sistematik dhe 28 zona në të cilën do të realizohet procesi i Përmirësim – Përditësimit të Regjistrimit “ thuhet në dokumentet bashkëshoqëruese.
Procedura e prokurimit ka një fond limit prej 81.6 milionë lekësh dhe afati për paraqitjen e ofertave është 21 shtatori./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/rihapet-tenderi-per-regjistrimin-e-pasurive-ne-fshatrat-me-potencial-turistik/