Perurohet treni i pare elektrik per transportin rajonal ne Kroaci
Treni i parë elektrik për transportin rajonal, i prodhuar nga kompania kroate e transportit hekurudhor Končar, si pjesë e projektit 171 mln euro, u përurua në linjën Zagreb-Sisak.
Kompania po rinovon mjetet lëvizëse me 21 trena të rinj elektrikë dhe 85% e projektit është bashkëfinancuar nga Programi Operacional për Konkurrencë dhe Kohezion.
Deri më sot, janë dërguar 11 trena për udhëtarë dhe kompania Končar do të dërgojë nëntë trena të tjerë rajonalë që do të lidhin kryeqytetin e Zagrebit me qytetet Vinkovci, Sisakun, Novska, Koprivnica, Zabok, Karlovac, Ogulin dhe Rijeka si dhe qytetet Vinkovci dhe Vukovar.
Të gjithë trenat pritet të dorëzohen deri në prill 2024. Trenat rajonalë janë 75 metra të gjatë, mund të arrijnë shpejtësinë 160 km/h dhe kapaciteti i tyre është 209 pasagjerë të ulur dhe 222 në këmbë.
Këta trena janë produkte cilësore të prodhimit kroat, të sigurt dhe të rehatshëm, tha ministri i Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të BE-së, Shime Erliq, duke shtuar se marrja e 21 trenave elektrikë është një projekt i madh dhe strategjik për shtetin.
Është e rëndësishme për ne që fondet e BE të investohen në hekurudha në dekadën e ardhshme, ashtu siç në dekadën e kaluar u kryen investime në transportin rrugor, tha ai, duke shtuar se qeveria dëshiron të shkurtojë kohëzgjatjen e udhëtimit hekurudhor dhe të rrisë numrin e pasagjerëve hekurudhorë.
Janë duke u zhvilluar projekte të mëdha të infrastrukturës, në bashkëpunim me Kompaninë e Infrastrukturës së Hekurudhave Kroate, siç është rregullimi i të gjithë trenave të pasagjerëve, tha Alen Gospocic, sekretari për hekurudhat në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.
Shtatëdhjetë trena të rinj priten deri në vitin 2025 dhe gjithsej 130 trena deri në vitin 2032, tha ai, duke shtuar se brenda dhjetë vjetësh, Kroacia pritet të ketë hekurudha të sigurta, moderne dhe ekonomike, të cilat janë standardi i tanishëm në Europën e zhvilluar.
Hekurudhat lokale dhe rajonale do të përmirësohen që nga viti i ardhshëm, tha ai./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/perurohet-treni-i-pare-elektrik-per-transportin-rajonal-ne-kroaci/