Eksportet e Kosoves bien me 12 per qind, thellohet deficiti tregtar
Eksporti i mallrave të Kosovës në muajin korrik 2023 kishte vlerën jo më shumë se 67,3 milion euro, që është një rënie prej 11,8 për qind.
Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4,4% në muajin korrik 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 444,7 milion euro, krahasuar me deficitin prej 426,1 milion euro në vitin 2022.
“Eksporti mbulon importin me 13,1%”, thuhet në raportin e ASK. Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit e përbëjnë: (22.2%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre,
(17.5%) artikuj të ndryshëm të prodhuar, (14.5%) plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, (10.6%) ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, (6.3%) produkte bimore, (5.2%) tekstil dhe artikuj tekstili, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14,7% e përbëjnë produktet minerale; 12,9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike;
11,1% e përbëjnë mjetet e transportit; 9,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6,7% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5,7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.
Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
“Importet nga vendet e CEFTA-s në muajin korrik 2023, arritën në 73,9 milion euro, ose 14,4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-16,4%).
Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5,9%), Shqipëria (5,4%), Serbia (1,3%)”, thuhet në publikimin e Statistikave të Tregtisë së Jashmte të Mallrave për muajin korrik 2023.
Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 27,6 milion euro, ose 41,0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6,8%.
Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (14,3%), Maqedonia e Veriut (13,3%), Mali i Zi (6,0%), Serbia (5,5%)./Burimi: Telegrafi