
Inflacioni baze bie ne 4.65 per qind, niveli me i ulet ne nje vit e gjysme
Inflacioni bazë pësoi një rënie të mëtejshme për muajin korrik dhe zbriti në nivelin më të ulët në një vit e gjysmë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 4.65%, nga 5.18% që kishte qenë për muajin qershor. Niveli i korrikut është më i ulëti që prej shkurtit të vitit 2022, para fillimit të valës së fortë inflacioniste që preku ekonominë shqiptare.
Përveç rënies së inflacionit vjetor bazë, edhe rritja mujore e indeksit të çmimeve të inflacionit bazë rezultoi shumë e ulët, me vetëm 0.02%, rritja më e ulët mujore në dy vitet e fundit.
Inflacioni bazë është një tregues që llogaritet nga Banka e Shqipërisë mbi 69.2% të shportës së përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.
Inflacioni bazë mat ndryshimin e çmimeve të konsumit, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.
Qëllimi i inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër.
Rënia e inflacionit bazë është një tregues i dobësimit të presioneve inflacioniste në ekonomi. Inflacioni bazë po ndjek tendencën rënëse të inflacionit mesatar në ekonomi, që në muajin korrik zbriti në 4.2%, edhe ai në nivelin më të ulët që prej shkurtit të vitit 2022.
Inflacioni i plotë i shportës së çmimeve të konsumit sidoqoftë ende paraqitet më i ulët se inflacioni bazë, kryesisht për shkak të rënies së çmimeve të naftës.
Megjithatë, gjatë muajit gusht çmimet e naftës i janë kthyer një rritjeje të shpejtë, që mund të rezultojë në në frenimin e rënies së inflacionit për muajt në vazhdim.
Në përgjithësi, këtë vit inflacioni në ekonomi ka shfaqur një tendencë rënëse, i nxitur nga rënia e çmimeve në tregjet e huaja, efekti i bazës krahasuese, rritja e normave të interesit dhe nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor.
Kjo situatë ka bërë që Banka e Shqipërisë të frenojë rritjen e mëtejshme të normave të interesit, megjithëse inflacioni ngelet ndjeshëm sipër objektivit prej 3%.
Mbështetur në analizën e raportit të fundit të Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të kthehet brenda objektivit prej 3% deri në fund të vitit 2024.
Këtë vit, çmimet e importit, Leku i fortë dhe politika e shtrënguar fiskale i kanë mundësuar Bankës së Shqipërisë të mbajë kushte monetare relativisht të çliruara, krahasuar me Eurozonën dhe shumicën e ekonomive të tjera europiane.
Efektet e Lekut të fortë priten të ndihen në inflacion edhe gjatë muajve në vazhdim, por gjatë muajit gusht kursi i këmbimit Euro-Lek ka shfaqur një tendencë korrektimi në rritje nga nivelet minimale historike që u shënuan në korrik.
Nëse Leku do të vazhdojë të dobësohet, kjo mund ta shtyjë Bankën e Shqipërisë të rifillojë ciklin e rritjes së normave të interesit në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës, në muajin tetor.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/inflacioni-baze-bie-ne-4-65-niveli-me-i-ulet-ne-nje-vit-e-gjysme/
Më të lexuarat








