Produktet Made in Albania, Brace: Skandal, Maqedonia i shet si te vetat
Erjon Braçe denoncon skandalin mbi fallsifikimin që shteti maqedonas bën me produktet bujqësore shqiptare.
Këto produkte u blihen me çmime qesharake fermerëve vendas dhe amballazhohen në shtetin fqinj për tu eksportuar si prodhime bio maqedonase.Sipas kryetarit të komisionit të ekonomisë ministrat shqiptar duhet t’i kërkojnë llogari autoriteteve maqedonase dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë fallsifikim të madh.
“Maqedonia është sjellë në mënyrë skandaloze me produktet shqiptare. Maqedonia ka ardhur në Shqipëri dhe ka blerë produkte shqiptare dhe i ka riamballazhuar në Maqedoni, duke i shitur si produkte maqedonase. Kjo duhet adresuar tani si çështje. Çdo produkt që del nga Shqipëria duhet të dalë me markën shqiptare dhe të mbyllet këtu historia. Nuk mundet që ata të ndërtojnë një markë të tyre me produkte shqiptare. Kjo është qesharake, kanë gënjyer gjithë dynjanë deri tani maqedonasit. Kjo është qesharake, duhet t’iu thuhet maqedonasve në sy që ta kuptojnë njëherë e mirë. Ministria e Bujqësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave” tha Braçe.Përsa i përket bllokimit në kufirin maqedonas të kamionëve me prodhimet shqiptare, zgjidhja sipas Braçes nuk janë paralajmërimet, por bllokimi reciprok.
“Në rast se nuk e duan tregun shqiptar, të mbyllet sot, boll vazhduan me paralajmërime. Ose Maqedonia të mësohet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare ku bën pjesë ose ne do ti përgjigjemi me të njëjtin reciprocitet. Çfarë janë këto, vazhdojnë të bëjnë paralajmërime. Njëri ministër pas tjetrit për paralajëmrime. Nuk funksionon kështu, duhet ta kuptojnë se çfarë janë. Ata janë një shtet që nuk janë funksional” shtoi ai. Bllokimi i kamionëve me produkte shqiptare në kufirin maqedonas, nën pretekstin se duhen bërë ekzaminime të mëtejshme është një problematikë që tregatarët e hasin prej më shumë se një viti.Qeveria shqiptare është ankuar shpesh herë tek pala maqedonase se po shkel marrëveshjen e CEFTA-s, e nënshkruar nga të dyja vendet për qarkullimin e mallrave.