Secondary Adv

Forcimi i euros mund te shkaktoje rritje te cmimeve ne treg

Forcimi i euros mund të sjellë një valë të re rritjesh të çmimeve në vendin tonë.

 

Rritja e valutës europiane me 5 pikë më shumë krahasuar me një javë më parë, po mirëpritet nga eksportuesit, por nga ana tjetër, sipas ekspertëve, mund të përkthehet në çmime më të larta në produktet e importuara.

 

“Për eksportet është një sinjal pozitiv, nga ana tjetër importuesit shqiptarë kanë qenë të privilegjuar, por në shumë raste s’e reflektuan dobësimin e euros në uljen e çmimit të disa produkteve, do fillojnë dhe ata të shqetësohen.

 

Përfitimet nga kontrolli dhe ulja e inflacionit ishin të mëdha, një pjesë lidhej me dobësimin e euros, por dhe një pjesë me politikën monetare të rritjes së normës bazë të interesit për lekun nga Banka e Shqipërisë.

 

Nëse euro do të vazhdojë të forcohet do të ketë elemente që do ndikojnë në inflacion sepse do rritet dhe inflacioni i importuar nga vendet e eurozonës, që ne kemi 70% të marrëdhënieve tregtare”, tha Adrian Civici, ekspert ekonomie.

 

Sipas Civicit, reflektimet e para mund të priten edhe në sektorin e pasurive të patundshme. “Shqetësim nëse mund të prodhohet, ka të bëjë me pasuri të patundshme, pagesat apo blerjet e mëdha, riforcimi i euros do të thotë se çmimet bëhen më të larta krahasuar me disa muaj më parë”.

 

Por sa mund të luhatet euro në tregun valutor në muajt e ardhshëm?

“Faktorët që kanë ndikuar në këtë forcim janë edhe psikologjik, edhe si pasojë  e ndërhyrjeve në tregun monetar dhe mbarimin e sezonit turistik.

 

Euro do të ketë një ekuilibër të ri, por jo të  kthehet shpejt deri në 120. Ekuilibri i ri pritet të jetë 105-110”. Ekspertët e atribuojnë forcimin e shpejtë të euros me ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm.

 

Ndërsa mbyllja e sezonit turistik mund të krijojë një situatë më të qëndrueshme./Burimi: A2CNN


Më të lexuarat