Siguruesit paguan me shume deme, por rriten fitimin me 127 per qind ne 2022
Fitimi i kompanive nga sigurimi i detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (TPL) u rrit me 127% vitin e kaluar.
Të dhënat e raportit të Mbikëqyrjes nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se bilanci i llogarisë teknike për produktin e brendshëm TPL ishte pozitiv në vlerën e 698 milionë lekëve, me një rritje të fortë krahasuar me vitin 2021.
Ky ishte fitimi i dytë më i lartë i dekadës së fundit, pas vitit pandemik 2020. Viti 2020 pati regjistruar rezultatin më të lartë historik nga produkti TPL, edhe për shkak të kufizimeve të lëvizjes që ndikuan në rënien e numrit të aksidenteve dhe të dëmeve prej tyre.
Nëse përjashtojmë vitin e pandemisë, për të gjetur një fitim më të lartë të siguruesve nga produkti TPL duhet të shkojmë pas në vitin 2008.
Fitimi nga produkti TPL është rritur pavarësisht se siguruesit kanë paguar më shumë dëme vitin e kaluar. Dëmet e paguara bruto u rritën me 19%, ndërsa dëmet e paguara neto (duke hequr pjesën e paguar nga risiguruesit) u rritën me 22% krahasuar me një vit më parë.
Edhe raporti dëme-prime neto u rrit në 36.06%, nga 34.65% që kishte qenë në vitin 2021. Efektin kryesor në rritjen e fitimeve nga sigurimi TPL e kanë dhënë rritja e primeve të fituara neto dhe ulja e shpenzimeve të marrjes në sigurim.
Primi i fituar neto vitin e kaluar arriti në 9.1 miliardë lekë, në rritje me 7.2% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, një ndikim të rëndësishëm ka sjellë edhe ulja e shpenzimeve të marrjes në sigurim.
Shpenzimet e marrjes në sigurim për produktin TPL vitin e kaluar zbritën në 2.57 miliardë lekë, në rënie me 22% krahasuar me një vit më parë. Kjo rënie duket se është ndikuar nga rregullorja “Për komisionet e ndërmjetësimit”, që hyri në fuqi në fillim të vitit 2022.
Ajo parashikonte se prej 1 janarit 2022, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikonin komisione ndërmjetësimi më të larta se 20% e primit të shkruar bruto.
Ndërkohë, duke filluar nga 1 janari i vitit 2023, komisioni tavan është ulur më tej, në 18% të primit të shkruar bruto. Sigurimet e detyrueshme motorike kanë një peshë shumë të lartë në strukturën e primeve të shkruara bruto në sigurimet e Jo-jetës.
Për vitin 2022, sigurimi i brendshëm TPL, Kartoni Jeshil dhe Polica Kufitare përbënin pothuajse 68% të primeve të shkruara bruto të këtij tregu.
Ulja e nivelit të komisioneve të paguara për këto produkte ka pasur rrjedhimisht një impakt të konsiderueshëm në nivelin e shpenzimeve të marrjes në sigurim nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës.