
Familjaret ulin borxhet ndaj OSHEE, bizneset dhe jobuxhetoret ne rritje
Borxhi i përgjithshëm ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në fund të qershorit të këtij viti shënoi nivelin mbi 79 miliardë lekë apo 744 milionë euro.
Kjo shifër në raport me fundin e vitit të shkuar ka shënuar një rënie modeste prej vetëm 0.3 për qind dhe kontribuuesi kryesor për këtë është grupi i institucioneve buxhetore dhe familjarët.
Konkretisht sipas të dhënave të OSHEE institucionet buxhetore që janë edhe mbajtësi i vlerës më të vogël të borxheve kishin në fund të qershorit një vlerë të pashlyer prej 4.63 miliardë lekë.
Kjo vlerë është me një ulje prej 3 për qind në raport me borxhin e regjistruar në 31 dhjetor 2022. Grupi i familjarëve që është edhe pjesa që mban gati 56 për qind të borxhit të përgjithshëm të OSHEE ka shënuar ulje të detyrimeve në raport me fundin e vitit të kaluar.
Një tendencë rritëse e këtij borxhi u vu re në muajt e parë të 2023-it duke kulmuar në statistikat e publikuara në prill por duket se në muajt në vazhdim trendi ulës është rikthyer duke rikuperuar edhe në raport me fundin e vitit të shkuar.
Konkretisht familjarët kanë 44.5miliardë lekë detyrime të prapambetura ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë apo 1.5 për qind më pak sesa kishin në fund të vitit 2022.
Institucionet jo buxhetore duket se janë ato që mbeten në përkeqësim të vazhdueshëm të këtij borxhi pasi në fund të qershorit vlera e tyre e detyrimeve shënoi 18.78 miliardë lekë apo me një rritje rreth 3.3 për qind në raport me fundin e vitit 2023.
Borxhet e këtyre institucioneve ku bëjnë pjesë shkolla, spitale, ndërmarrjet e ndriçimit kanë ardhur në rritje nga viti në vit. Të fundit në listën e detyrimeve të OSHEE janë bizneset të kategorizuara në zërin “privat”.
Për këta të fundit në qershor vlera e detyrimeve ishte 11.73 miliardë lekë me një rritje të lehtë në raport me fillimi ne vitit kur ishin 11.71 miliardë lekë.
Detyrimet e prapambetura të krijuara pranë OSHEE nga të gjitha grupet kanë pasur luhatje të vazhdueshme me rritje dhe ulje por qysh nga vitit 2019 stoku ka ardhur vetëm në rritje.
Në dhjetor 2019 stoku i borxhit ishte 72.5 miliardë lekë ndërkohë që në fund të vitit 2022 ishte 79.9 miliardë lekë.
Më herët në vitin 2014 qeveria nisi një reformë të plotë në sektorin e energjisë që synonte ndër të tjera uljen e informalitetit dhe rritjen ndërgjegjësimit për pagesën e faturave duke aplikuar edhe një skemë lehtësuese për shlyerjen e borxheve të prapambetura e cila mbetet ende në fuqi.
Pavarësisht kësaj disa aspekte kanë vijuar të mbeten të vështira dhe një prej tyre është ajo e ujësjellësve të cilët kanë të paktën 14 miliardë lekë detyrime ndaj kompanisë së energjisë sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/borxhet-ndaj-oshee-familjaret-i-ulin-bizneset-dhe-jobuxhetoret-ne-rritje/
Më të lexuarat








