Secondary Adv

Studimi i INSTAT: Rritja e pagave me 1 per qind rriti produktivitetin me 0.6 per qind

Një studim i pavarur i ekspertëve të INSTAT në rreth 13 mijë ndërmarrje gjeti një lidhje pozitive ndërmjet rritjes së pagave dhe produktivitetit.

 

Të dhënat që u morën nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve në 13,424 biznese aktive treguan se rritja me 1% e pagës për të punësuar ka dhënë një rritje mesatare të produktivitetit të punës me 0,6% gjatë periudhës 2015-2020.

 

Një lidhje pozitive vërehet gjithashtu mes produktivitetit dhe fitimit për të punësuar, ku rritja me 1 % e këtij treguesi rrit produktivitetin mesatarisht me 0,38%.

 

Gjithashtu, kjo lidhje pozitive evidentohet edhe për treguesit e tjerë si investimet për të punësuar, ku ndryshimi me 1 % rrit produktivitetin mesatarisht me 0,024%.

 

Ndërmarrjet e mëdha kanë rezultuar mesatarisht me produktivitet më të lartë pune sesa të voglat. Tregu i punës i zhvendos punëtorët drejt ndërmarrjeve më produktive dhe kjo përforcon rëndësinë e ndërmarrjeve të mëdha për rritjen e produktivitetit.

 

Studimi i ekspertëve të INSTAT gjeti se 5 ndërmarrjet e mëdha rezultojnë 3,6% më produktive se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa prodhuesit e të mirave kanë një produktivitet 51,4% më të lartë se prodhuesit e shërbimeve.

 

Produktiviteti i punës reflekton aftësinë e ndërmarrjes për të gjeneruar produktivitet ose vlerë të shtuar më të lartë. Produktiviteti, në përgjithësi, është i lidhur me raportin e faktorëve të prodhimit dhe produkteve të prodhuara.

 

Në rastin e Shqipërisë, sipas të dhënave të Anketës strukturore të Ndërmarrjeve vitet e fundit sektori privat ka pasur një zgjerim të shpejtë, duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e numrit të të punësuarve dhe në nivelin e prodhimit.

 

Teoritë e efikasitetit të pagave pohojnë se ato ndikojnë pozitivisht në produktivitetin e punës, fakt që sugjeron se rritja e nivelit të pagave inkurajon punonjësit të rrisin produktivitetin në përgjigje të stimujve më të lartë të ofruar nga ndërmarrja.

 

Nga ana tjetër, studimet të tjera tregojnë se produktiviteti më i lartë i punëtorëve rrit pagat.

 

Sipas Raportit të Konvergjencës së BQE rritja e pagave duhet të vijë si pasojë e rritjes së produktivitetit të punës në nivel ndërmarrjeje, duke marrë në konsideratë edhe kushtet e tregut të punës dhe zhvillimet në vendet konkurrente për të siguruar stabilitet të gjatë makroekonomik.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/studimi-i-eksperteve-te-instat-ne-13-mije-biznese-rritja-e-pagave-me-1-rriti-produktivitetin-me-0-6/


Më të lexuarat