Secondary Adv

Shqiperia kerkon fonde nga BE per tre segmente hekurudhore

Bashkë me projektin e autostradës Adriatiko-Joniane, Shqipëria kërkon edhe financimin e hekurudhës dhe nyjave të infrastrukturës në funksion të këtij korridori.

 

Këtë kërkesë e bëri dje ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, në konferencën rajonale mbi planin e investimeve në infrastrukturë, mbajtur në Lubjanë të Sllovenisë, nën kujdesin e komisioneres së BE për Transportin, Violeta Bulc. Në takim merrnin pjesë ministrat e Transportit të rajonit, përfshirë vendet anëtare të BE, Greqinë e Rumaninë.Ministri vlerësoi procesin e Berlinit, dhe hartën e projekteve rajonale të cilat u miratuan në Samitin e Vjenës, vitin e kaluar. Haxhinasto, shprehu gatishmërinë për të realizuar detyrimet kombëtare në funksion të rrjetit europian, por, theksoi ai, ekziston një hendek në gjithë rajonin midis nevojave për financim dhe mundësive të secilit vend. Ministri dha një përmbledhje të investimeve të kryera në vendin tonë deri me sot dhe u ndal te financimet që kanë marrë segmente të ndryshme përgjatë pjesës shqiptare të Korridorit Adriatik-Jonian, nga segmentet Hani Hotit-Shkodër, deri te segmentet Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë.

 

Gjithashtu, Haxhinasto përmendi financimet aktuale të segmenteve si Bypass i Rrogozhinës, Bypass i Fierit dhe Bypass i Vlorës, që kapin vlerën totale prej 100 milionë eurosh. Duke u ndalur te mënyrat e tjera të transportit, atij hekurudhor dhe atij detar, ministri veçoi fondet e dhëna nga instrumentet evropiane për aplikimin e përbashkët Shqipëri-Mali i Zi, prej 4 milionë euro. Haxhinasto theksoi se në funksion të korridorit Adriatiko-Jonian duhet projektuar edhe sistemi i modaliteteve të tjera të transportit, ku ai veçoi projektet hekurudhore të Durrës- Mal i Zi, Durrës Kufiri me Maqedoninë, lidhja hekurudhore me Greqinë, si dhe lidhja Tiranë-Rinas-Durrës.

 

Ministri e vuri theksin te domosdoshmëria e angazhimit të sektorit privat në forma të ndryshme të Partneritetit Publik Privat, prezantoi edhe konceptin për bashkimin e fondeve nga institucionet financiare evropiane me fonde private, për të realizuar nivele të pranueshme të kostos së parasë për projektet strategjike. Ministri paraqiti përpjekjet për rregullimin e tregut të transportit në Shqipëri, si dhe masat për rritjen e sigurisë dhe standardit të mirëmbajtjes së rrjetit rrugor, gjë që u vlerësua në mënyrë të veçantë nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në takim, El Nifnawi. Haxhinasto shprehu gjithashtu gatishmërinë e Shqipërisë, për të përfunduar Traktatin e Komunitetit të Transportit përpara Samitit të Parisit në korrik 2016.


Më të lexuarat