
Shteti nuk regjistron dot pronat e veta, vetem 9 per qind kane kaluar procesin
Një auditim i fundit i KLSH ka dalë në përfundimin se nuk ka një inventar të plotë të pasurive shtetërore dhe publike, ndërkohë që procesi i regjistrimit të tyre është në nivele tepër të ulëta.
Audituesit nënvizojnë nga sektori i procedurave të transferimit të pronës shtetërore, për institucionet qendrore dhe ato në varësi të tyre që nga viti 2003 deri në 2022, janë miratuar 82 VKM, ndërsa për institucionet e pavarura janë miratuar 6 VKM.
“Në nivel qendror, referuar listave të miratuara në Republikën e Shqipërisë rezultojnë përafërsisht 16,572 prona, nga të cilat 11,385 prona i përkasin Shoqërive Anonime, me aksionarë shtet.
Në total rezulton se nga 16,572 prona shtetërore të miratuara nëpërmjet 88 VKM-ve, vetëm 1302 prej tyre janë regjistruar ose 9%.
Raportimi i shifrave në lidhje me pasuritë shtet bëhet përmes emërtesës “pronë”, por duhet theksuar se një pronë e pasqyruar në listat e inventarit të institucioneve shtetërore mund të përbëhet nga disa pasuri,” thuhet në raport.
Shkak për këtë situatë duket se janë kostot që shoqërojnë procedurën e regjistrimit të një prone. Për çdo procedurë pranë Kadastrës duhet të paguash një tarifë dhe kjo ngarkesë vlerësohet e papërballueshme nga bashkitë.
“Nga auditimi rezulton se pengesa kryesore në regjistrimin e pasurive shtetërore nga ana e bashkive është tarifa e regjistrimit.
Transferimi i pronave me Vendime të Këshillit të Ministrave nuk është shoqëruar edhe me asistencë financiare, përmes përfshirjes së këtyre fondeve në fondin e pakushtëzuar apo në fondet specifike që bashkitë marrin për funksione të caktuara.
Ndryshimet e reja ligjore, konkretisht Ligji 20/2020 ndonëse i kushton një rëndësi të veçantë në Kreun IV përditësimit, inventarizimit, transferimit dhe regjistrimit të pronave shtetërore, në nenin 43, parashikon se tarifa e regjistrimit për institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore do të jetë e reduktuar.
Por, ky përcaktim ligjor nuk është i reflektuar në Vendimin nr. 389, datë 13.5.2020 “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale”, duke mos përcaktuar në asnjë dispozitë sesi do të bëhet ky trajtim i diferencuar përmes tarifave të reduktuara dhe në ç’masë do të jetë kjo tarifë,” thuhet në dokumentin e KLSH.
Lidhur me këtë problematikë është rekomanduar që së pari të jetë ASHK ajo që duhet të marrë masa për të caktuar nivelin e reduktuar të tarifave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme shtetërore,
duke e vlerësuar këtë nivel në bashkëpunim me Drejtorinë e Financave Vendore në Ministrinë e Financave, me qëllim që pagesa e këtyre tarifave të mos krijojë kosto të mëdha për buxhetet modeste të bashkive.
Së dyti, për të pasur një ndjekje më të mirë të procesit është rekomanduar që sektori i procedurave të transferimit të pronës shtetërore në ASHK të marrë masa që të kërkojë nga bashkitë numrin e aplikimeve që janë kryer pranë DVASHK-ve përkatëse për regjistrimin e pasurive.
Në bazë të këtij informacioni të hartojë një statistikë të përvitshme mbi ecurinë e regjistrimit të pasurive shtetërore./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/shteti-nuk-regjistron-dot-pronat-e-veta-vetem-9-e-kane-kaluar-procesin/
Më të lexuarat








