Rriten kamatvonesat per faturat e energjise, 557 mln leke ne 6 muaj
Vlera e kamatvonesave për faturat e energjisë elektrike u rrit në 6 muajt e parë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën janar-qershor 2023 Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike arkëtoi rreth 577 mln lekë vetëm nga faturat që nuk janë likujduar në kohë nga klientët që furnizon me energji elektrike.
Në raport me 6-mujorin e vitit të kaluar në total janë mbledhur rreth 130 mln lekë më shumë, duke qenë se për këtë periudhë u arkëtuan rreth 447 mln lekë.
Tendenca në rritje për të mos likujduar brenda afateve faturat e energjisë elektrike u vu re edhe gjatë vitit 2022, ku sipas të dhënave zyrtare OSHEE arkëtoi plot 1.37 mld lekë apo rreth 505 mln lekë më shumë se në vitin 2021, ku nga kamatvonesat u arkëtuan rreth 869 milion.
Ndërkaq, ajo që bie në sy është fakti se ndonëse sivjet është rritur arkëtimi në vlerë, numri i faturave për të cilat është mbledhur kamatvonesa ka pësuar rënie të konsiderueshme.
Në totaj sivjet është paguar kamatvonesë për 984,385 fatura apo për rreth 1.3 mln fatura më pak. Sipas kontratës që OSHEE ka nënshkruar me klientët e saj, afati i fundit për likujdimin e faturave është dita e fundit e muajit pasardhës.
Ndërkohë që, mospagimi i detyrimit mujor brenda afatit të përcaktuar, shoqërohet me një kamatëvonesë, që llogaritet në masën 0.1% e faturës totale, për çdo ditë vonesë.
Më pas, në rast se energjia e konsumuar vijon të mospaguhet, kontrata parashikon përshkallëzim të penaliteteve që shkojnë deri në ndërprerje të energjisë elektrike.