Secondary Adv

1.26 mln ndertesa paguan takse pasurie me 2022, vlera arrin ne 6.1 mld leke

Ministria e Financave pohon se gjatë vitit të kaluar numri i ndërtesave të regjistruara dhe të faturuara arriti në 1,260,587.

 

Vitin që vjen, synohen të regjistrohen dhe te tatohen rreth 1,300,000.

 

Rezultatet e Censit 2011 treguan se në të gjithë vendin kishte 1,008,243 banesa rezidenciale. Të dhënat tregojnë se fondi i ndërtesave për qëllime tatimore në vitin 2022 ishte 25 për qind më i lartë se ato të regjistruara në vitin 2011.

 

Në vitin 2022 të ardhurat nga taksa e ndërtesave arritën në 6,1 miliardë lekë me një tatim mesatar 4,869 lekë për ndërtesë.

 

Ministria e Financave analizoi se ka një ndërgjegjësim të tatimpaguesve për detyrimet e tyre për tatimin në pronë. Procesi i zhvillimit të shërbimeve elektronike është në vazhdim, duke shtuar së kadastra fiskale nuk ishte plotësisht funksionale.

 

Kadastra Fiskale është regjistri qendror i bazës së të dhënave të pasurisë së paluajtshme që shërben për hedhjen, përpunimin, korrektimin e të dhënave dhe që shërbejnë për efekt të llogaritjes së shumës së taksës së pasurisë së paluajtshme për t’u paguar nga çdo taksapagues.

 

Ministria e Financave vlerëson se, qasja në të dhënat e tregut është thelbësore, në një sistem taksimi bazuar në vlerën e tregut.

 

Pa të dhëna të sakta, të plota dhe të përditësuara nuk është e mundur të përcaktohen vlerat e vlerësuara që reflektojnë vlerën e tregut. Në këtë mënyrë aksesi në të dhënat e plota të tregut është një parakusht për të qenë në gjendje të kryhet një vlerësim cilësor.

 

Qeveria ka në proces miratimi një projektligj që synon rritjen e të ardhurave nga taksa e ndërtesës, kryesisht nëpërmjet rritjes së arkëtimeve nga shtëpitë e dytë dhe treta.

 

Projektligji i ri për taksën mbi pasurinë e paluajtshme që synon të rrisë arkëtimin edhe në rastet e banesave në proces legalizimi por që ende kanë certifikatë pronësie, truall privat që është zënë nga ndërtesa në proces legalizimi.

 

Nëse pronari i parcelës nuk e shfrytëzon parcelën e tij, për shkak se ajo parcelë është zënë, nga një apo më shumë njësi të ndërtesave pa leje ose të legalizuara, taksapagues për parcelën është pronari i njësive të ndërtesave.

 

Nëse pasuria e paluajtshme nuk është e pajisur me dokument pronësie, taksapaguesi është poseduesi i pasurisë së paluajtshme. Një përcaktim i tillë nuk i jep asnjë të drejtë pronësie mbi pasurinë e paluajtshme, poseduesit.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/1-26-milione-ndertesa-paguan-takse-pasurie-me-2022-numri-ishte-25-me-i-larte-se-censi-2011/)


Më të lexuarat