Secondary Adv

ERE: Projektet e pakryera nga KESH, OSHEE dhe OST, realizimi vetem 41 per qind

ERE nxjerr zbuluar investimet e pakryera nga sektori i energjisë elektrike dhe akuzon tri kompanitë për mungesë transparence dhe shkelje të rregulloreve.

 

Sipas një raportimi të bërë për vitin 2015 në Kuvend nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), KESH-i ka realizuar investimet në masën 38% të planit, OSHEE në nivelin 41%, ndërsa OST-ja (Operatori i Sistemit të Transmetimit), 66%. Këto të dhëna i përkasin marsit 2016 dhe ERE i quan “operative”, përderisa nuk janë përfshirë në bilancin e kompanive. ERE i raporton Kuvendit se kompanitë nuk kanë denjuar të raportojnë në kohë, madje nuk kanë paraqitur një plan investimesh për vitin 2016.


OSHEE
Plani i investimeve të OSHEE-së për vitin 2015, që u miratua nga ERE, në vlerën 5 567 468 923 lekë në total, përfshinte nënstacione të reja, riparime në rrjet, blerje matësish të rinj dhe rinovim të teknologjisë në Sistemin e Billingut. Sipas kërkesave të bëra nga OSHEE-ja, Enti ka ndryshuar planin e investimeve katër herë: në shkurt, maj, korrik dhe tetor 2015. Nga monitorimi i realizimit të investimeve për periudhën janar-shtator 2015, rezultoi se 29 projekte me vlerë totale 1 883 237 463 lekë u hoqën ose u shtynë në planin e investimeve. Ndërkaq, 81 projekte të tjera kanë ndryshim në vlerë nga ajo e parashikuar. Një grup tjetër janë 280 projekte që janë shtuar, me vlerë totale 8 538 760 242 lekë, e ndarë kjo në dy vite sipas pritshmërisë së realizimit të tyre. Mjaft prej këtyre projekteve nisën në vitin 2015, por efektin më të madh financiar (pagesat e situacioneve), do ta kenë në vitin 2016.

 

Gjithashtu, sipas OSHEE-së, vërehej parashikimi për investime në sistemin e teknologjisë së informacionit me 16 projekte, që kapin shumën prej 610 847 000 lekësh dhe ndërtime zyrash qendrore të OSHEE-së, që kap shumën 473 807 671 lekë. Nga monitorimi rezultoi se OSHEE-ja nuk paraqiti brenda prillit 2015, sipas planit të saktësuar, ecurinë për investimet në matje dhe Sistemin e Billingut, gjë e cila nuk është realizuar nga OSHEE-ja. “Për ndryshimet nuk i është kërkuar miratim ERE-s sipas rregullores. Megjithëse plani i investimeve është ndryshuar katër herë gjatë vitit, realizimi i tyre nuk shpresohet që të jetë kryer në përqindje të konsiderueshme, aq më pak të kapitalizohet gjatë 2015-s. Niveli i pagesave të bëra për investimet është në masën rreth 26%”, nënvizohet në raportimin e ERE-s për deputetët. Në mars 2016, nga ana e OSHEE-së u dërguan të dhënat operative lidhur me realizimin e investimeve për vitin 2015, ku sipas raportit, realizimi është 3 127 159 508 lekë, pra 41% e planit. Në lidhje me analizimin e shpenzimeve dhe “Cash Flow” (gjendja e parave) u konstatua se gjendja ekonomiko-financiare e shoqërisë OSHEE është përmirësuar si rezultat i aksionit për arkëtimin e faturave korrente dhe detyrimeve të prapambetura, thekson ERE.


OST
Gjatë monitorimit për nëntëmujorin 2015, një përqindje e konsiderueshme e investimeve të miratuara nuk ishin realizuar. Nga 30 zëra investimesh, pesë janë kryer, nëntë ishin në proces dhe 16 të tjera nuk ishin prokuruar, raporton ERE. Gati 40% e zërave të projekteve ka të ngjarë që të mos jenë prokuruar deri në fund të vitit dhe kjo mund të konsiderohet si defekt në planifikimin e investimeve, pavarësisht problematikave apo emergjencave që mund të shfaqen, theksohet në raport. Në mars 2016, nga ana e OST-së u dërguan të dhënat operative lidhur me realizimin e investimeve për 2015-n. Plani ishte 2 834 220 048 lekë, nga të cilat janë realizuar 1 859 891 919 lekë ose 66% e fondeve të miratuara. “Në listën e investimeve të realizuara vërehen ndryshime në emërtimin dhe vlerën e projekteve krahasuar me planin e miratuar nga ERE”, nënvizohet në raport.


KESH
Plani i investimeve për 2015-n i kompanisë KESH, kapte vlerën totale prej 6 053 306 000 lekësh nga ku 2 747 306 000 lekë janë financim i huaj. Këshilli Mbikëqyrës i KESH-it, më 31 mars kërkoi një shtesë plani, ku parashikohej ndërmarrja e masave për vlerësimin e defektit në impiantin e ftohjes së TEC Vlora, nëpërmjet alokimit të fondit për shërbime konsulence për dizajnimin e detajuar të rivendosjes së sistemit ftohës, i cili do të mundësonte planifikimin e veprimeve që do të ndërmerren në të ardhmen për eliminimin e defektit dhe rivënien në punë të termocentralit. Këto masa nuk rezultojnë të jenë kryer. Nga monitorimi dhe përpunimi i të dhënave për 9-mujorin 2015, del se janë shtyrë në vite, përshirë dhe vitin 2015, 18 zëra investimi me vlerë 981 500 000 lekë ose 28% e totalit. Ndërsa janë realizuar 27 zëra investimi me vlerë 1 058 752 000 lekë ose 30%. Në mars 2016, nga ana e KESH-it u dërguan të dhënat operative lidhur me realizimin e investimeve për 2015-n. Realizimi i projekteve ishte në vlerën 2 361 859 lekë ose 38% e planit. Për shembull, për projektin e sigurisë së digave ishin planifikuar 2 669 806 lekë, ndërsa janë kryer punime në masën 1 047 925 lekë. Më keq kanë shkuar punët në HEC Vau i Dejës, ku plani i investimeve ishte 1 138 500 lekë, ndërsa realizimi 239 297 lekë.


Transparenca
Në lidhje me transparencën tek OSHEE për vitin 2015 vërehet se në faqen zyrtare të internetit nuk janë publikuar rezultatet e përpunuara të treguesve të cilësisë së vazhdueshmërisë së furnizimit me energji elektrike për çdo zonë shpërndarjeje të klasifikuar brenda 31 marsit të vitit pasardhës, rregullores për kushtet minimale të cilësisë së shërbimit të shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike. Informacionet dhe të dhënat për shërbimet e kryera në vitin paraardhës, subjektet dhe niveli i cilësisë tregtare të shërbimit, sipas rregullores. ERE ka kërkuar nga shoqëria OSHEE zbatimin e kuadrit ligjor për rritjen e transparencës në tregun e energjisë elektrike.


Vendimi
Tarifat e reja të energjisë, diskutimi shtyhet më 30 qershor 2016
Shoqëritë KESH, OST dhe OSHEE nuk paraqitën planet e investimeve për vitin 2016. ERE e konsideron planin e investimeve një komponent të rëndësishëm për përcaktimin e të ardhurave të kërkuara për aktivitetet e rregulluara. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, si dhe tri kompanitë publike, sipas raportit të ERE-s, u shprehën pro shtrirjes së efektit të tarifave dhe çmimeve aktuale deri më 30 qershor 2016. U konstatua një situatë e përmirësuar e sektorit që shërbeu si indikator i mjaftueshmërisë së tarifave dhe çmimeve të vitit 2015, të cilat mjaftojnë për kryerjen e një aktiviteti normal për të tria kompanitë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016, argumenton ERE. Çmimi mesatar i energjisë elektrike në vendet e rajonit, për vitin 2015 për konsumatorët jofamiljarë është 11.69 lekë/kWh, konstaton ERE. Kurse çmimi mesatar i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë për vendet e rajonit është 10.91 lekë/kWh. Vendi ynë paraqitet me tarifa më të shtrenjta se Hungaria, Serbia, Lituania dhe Moldavia.


Më të lexuarat