FED Invest, 90 milion euro kredi per fermeret ne 5 vitet e ardhshme
FED Invest, gjatë viteve të ardhshme synon rritjen e numrit të klientëve në 200 mijë nga 34 mijë që është sot, një portofol kredie prej 90 milionë euro, rritje të peshës së kredive konsumatore në 50 % të vlerës së portofolit të kredisë, futjen e llogarisë rrjedhëse për të gjithë anëtarët si dhe pagesat e shërbimeve utilitare në mënyrë bankare përmes shoqërisë.
Asambleja e Përgjithshme e shoqërisë FED invest, zhvilloi punimet, në qytetin e Durrësit këtë të hënë në fokus të së cilës ishte prezantimi i perspektivës së zhvillimit institucional gjatë vitit 2016.Kryetarja e Bordit te FED invest Zana Konini në fjalën e mbajtur theksoi se përveç objektivave që kemi për të zgjeruar dhe pasuruar gamën e produkteve dhe shërbimeve, veçanërisht ndaj popullsisë rurale, synojmë gjithashtu që të kontribuojmë përmes strukturave tona edhe zhvillimin e agrikulturës shqiptare deri në nivelet e saj optimale me qëllim përmirësimin e standardeve të jetesës. Investime, tha ajo do të ketë edhe në teknologjinë bankare.
“Projektet tona zhvilluese do të nxisin rritjen e përfshirjes financiare në Shqipëri, nxitjen e krijimit të zinxhirit të vlerës në agrikulturë dhe njëkohësisht ngritjen e kapaciteteve tona përmes trajnimeve”, tha Konini.Në datën 1 Shkurt 2016, Banka e Shqipërisë miratoi bashkimin me përthithje të 70 shoqërive të kursim kreditit, pjesë të Unionit shqiptar kursim kredi, në një shoqëri të vetme kursim krediti. Në datën 2 mars 2016, Banka e Shqipërisë liçensoi shoqërinë e re të Kursim Kreditit FED invest.Qëllimi kryesor i kësaj asambleje ishte: “Konsolidimi i rrjetit të SHKK-ve, mundësia për zgjerimin dhe diversifikimin e shërbimeve financiare në zonën rurale”.Bashkimi me përthithje i 70 shoqërive të kursim kreditit në nje shoqëri të vetme ishte vazhdim i traditës së bashkimit vullnetar të tyre, filluar që në vitin 2002 kur këto shoqëri krijuan Union Shqiptar Kursim Kredi.