Furnizimi me uje, nga klorinimi manual tek mungesa e rojeve, 32 paralajmerime per subjektet
Subjektet që ofrojnë furnizimin me ujë në vend janë gjetur me shkelje të natyrave të ndryshme gjatë inspektimeve që ka zhvilluar Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.
Shkeljet nisin nga mungesa e aparatit për dozimin e dizifektattëve tek mungesa e rojeve 24 orë.
Konkretisht të dhënat e mbledhura gjatë vitit të shkuar nga ky Inspektorat dhe të publikuara në raportin vjetor tregojnë se janë zhvilluar të paktën 1 438 inspektime dhe ri-inspektime në subjekte të furnizimit me ujë të pijshëm nga të cilat 1 414 inspektime dhe 24 ri-inspektime.
Vetë inspektorati rendit një sërë konstatimesh të cilat kanë nevojë për vëmendjen e subjekteve që ofrojnë furnizimin me ujë në vend në mënyrë që të rritet siguria dhe cilësia për qytetarët.
Mangësitë e konstatuara gjatë procesit inspektues kanë qenë si më poshtë vijon:
Mungesa e aparatit për dozimin e lëndës dezinfektante, klorinim manual ; Depo të parrethuara dhe të amortizuara me prani të lagështisë. ;
Mungesë e rrethimit të zonave të mbrojtjes sanitare; Bimësi e rritur dhe papastërti në zonat e mbrojtjes ; Mungesë e raport analizës periodike për kontrollin e cilësisë së ujit. ; Mungesë e raport analizës së lëndës dezinfektante të ujit nga strukturat vendore të kujdesit shëndetësor. ;
Mungesa e dokumentacionit të detyrueshëm shëndetësor të punonjësve. Mungesë e Akt-Miratimit higjieno sanitar të objekteve të UK. ; Moskryerja e shërbimit të dezinfektimit (DDD) ; Mungesë e regjistrave për dokumentimin e dezinfektimit të depove të ujit të pijshëm” thuhet në raport.
Ndërkohë një tjetër element që sillet në vëmendje është siguria që duhet të kenë këto subjekte të rëndëssië së veçantë. Raporti thotë se nga inspektimet është konstatuar mungesë e rojes 24 orë në subjektet e furnizimit me ujë të pijshëm, si subjekte të rëndësisë së veçantë.
Raporti nënvizon edhe mungesë të ambienteve të veçantë për ruajtjen e dezinfektantëve.
“Gjatë inspektimeve ose në bazë të denoncimeve për ndotje të ujit të pijshëm janë vendosur masa administrative si më poshtë vijon:
1 Masë Administrative në lekë 10 Vendime të Ndërmjetëm Për Marrje Mase Urgjente. 32 Paralajmërime” thuhet në raport.
Nëse analizon të dhënat e publikuara nga Inspektorati rajoni me më shumë paralajmërime është Fieri, më pas Vlora dhe Berati. Inspektimet dhe riinspekimet më të mëdha janë zhvilluar në qarkun e Vlorës.