9 per qind e arketimeve nga TVSH u rimbursuan, rritje vjetore 16 per qind
Gjatë 7-mujorit të këtij viti, Tatimet rimbursuan te bizneset një shumë prej 10.7 miliardë lekësh, ose rreth 104 milionë euro.
Vlera e rimbursimit ishte 16% më e lartë se njëjta periudhë e një viti më parë dhe ishte sa 9% e totalit të TVSH bruto të arkëtuar gjatë 7-mujorit nga tatimet dhe nga doganat.
Pesha e TVSH-së së rimbursuar në raport me TVSH bruto u rrit 1 pikë për qind, në raport me janar-korrik 2023.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në masën 26.5 miliardë lekë, 4.7 miliardë ose 21.6% më shumë se 7 mujori 2022, si dhe 11% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 7 mujorin 2023.
Rimbursimet për periudhën 7-mujore 2023 janë 10.8 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 16.2% më shumë se 7-mujori 2022, si dhe 6.5% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 7-mujorin 2023.
Përmirësimi i arkëtimeve nga TVSH ka ndikuar pozitivisht në likuidimin e detyrimeve të prapambetura në rimbursimin e tatimit. Në kontratat e mëdha të investimeve, Tatimet aplikojnë mekanizimin e pagesës me këste të detyrimit për të rimbursuar TVSh-në.
Sipas ligjit, personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400.000 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së” (online si dhe zyrtarisht pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve).
Ligji përcakton se, nëse një rimbursim, i cili duhej kryer nga administrata tatimore, nuk procesohet brenda afateve administrata tatimore paguan kamatëvonesë për shumën e paguar më tepër.
Gjithashtu kur një shumë e paguar më tepër rimbursohet, kamatëvonesa paguhet për periudhën nga 30 ditë pas bërjes së pagesës më tepër deri në kryerjen e rimbursimit.
Nga data 7 mars 2022, çdo kërkesë për rimbursimin e TVSH-së do të bëhet vetëm online, përmes Platformës Digjitale të Rimbursimit të TVSH-së.
Platforma online e rimbursimit ka për qëllim eliminimin përfundimtar të kontakteve fizike me punonjësit e administratës tatimore, duke eliminuar çdo mundësi abuzimi, si edhe çlirimi i tatimpaguesve nga dokumentet në letër dhe nga koha e pritjes.