
Fondet e investimit ne valute te huaj rane serish ne gjysmen e pare te vitit
Euroizimi i tregut të fondeve të investimit pësoi rënie të mëtejshme në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, asetet neto të fondeve të investimit në valutë pësuan rënie në vlerën e 40.5 milionë eurove, në rënie me 3.6% ose afërsisht 1.5 milionë euro që nga fillimi i vitit.
E shprehur në monedhën vendase, rënia ishte më e lartë, për shkak të efektit të kursit të këmbimit.
Vlera e barazvlefshme në Lekë e aseteve neto të fondeve në valutë të huaj ra në 4.3 miliardë lekë, rreth 10% më pak krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Në mesin e këtij viti, kursi i këmbimit të Euros me lekun zbriti në 106.5 lekë, nga afërissht 114 lekë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Ky mbiçmim i monedhës vendase ka ndikuar në një rënie statistikore të vlerës së aseteve në valutë në të gjitha segmentet e tregut financiar.
Në fund të muajit qershor 2023, asetet neto të fondeve në valutë të huaj përbënin 9.96% të aseteve neto të fondeve të investimit, nga 11.54% që ishte pesha e tyre specifike në fund të vitit 2022.
Tregu i fondeve të investimit është një ndër segmentet e paktë të tregut financiar që ka pësuar ulje të nivelit të Euroizimit në vitet e fundit. Sipas ekspertëve, kjo rënie i detyrohet kryesisht tendencës së rritjes së normave të interesit dhe yield-eve në tregjet ndërkombëtare.
Rritja e yield-eve solli perkeqësimin e performancës së fondeve të investimit, duke bërë që një pjesë e investitorëve të vendonin të tërhiqeshin dhe të likuidonin asetet e tyre.
Një tendencë e tillë u vërejt edhe tek fondet e investimit në Lekë, por në përgjithësi për fondet në valutë të huaj kthimet negative ishin më të thella. Vitin e kaluar, asetet e fondeve të investimit në valutë të huaj pothuajse u përgjysmuan.
Veç efektit direkt të kthimit negativ në uljen e vlerës së aseteve, zhvillimet e vitit të kaluar kanë dekurajuar investimet e reja në fondet në valutë.
Megjithëse këtë vit kthimet vjetore të fondeve në valutë janë kthyer në territor pozitiv, sërish investimet e reja në fonde, ngelen në stanjacion, si në valutë të huaj, ashtu edhe në monedhën vendase.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në Shqipëri janë të licencuar aktualisht trembëdhjetë fonde të hapura me ofertë publike, gjashtë nga të cilët kryejnë aktivitetin në valutë të huaj, kryesisht në Euro.
Pjesa dërrmuese e aseteve zotërohen nga fondi Raiffeisen Invest Euro, që investon kryesisht në instrumente të borxhit të qeverive, të korporatave të huaja dhe në kuota të fondeve të huaja të investimit.
Ndërkohë, disa prej fondeve në valutë të themeluar në vitet e fundit kanë një politikë investimi që përfshin edhe aksionet e shoqërive tregtare.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/fondet-e-investimit-ne-valute-te-huaj-rane-serish-ne-gjysmen-e-pare-te-vitit/)
Më të lexuarat








