OBSH: Numri i rasteve me Covid-19 serish ne rritje
Numri i infeksioneve me koronavirus është në rritje sërish në hemisferën veriore, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
“Ne vazhdojmë të shohim tendenca shqetësuese të Covid-19 përpara sezonit të dimrit në hemisferën veriore”, tha sot drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, në Gjenevë.
“Gjatë muajve më të ftohtë, njerëzit janë të ekspozuar ndaj një rreziku më të lartë të infeksionit, pasi kalojnë më shumë kohë brenda”, tha ekspertja kryesore e OBSH-së për koronavirusin, Maria Van Kerkhove.
Sipas agjencisë së OKB-së, numri i vdekjeve nga koronavirusi është sërish në rritje në Lindjen e Mesme dhe Azi, ndërsa Amerika e Veriut, Evropa dhe Azia po shohin një numër në rritje të shtrimeve në spital për shkak të Covid-19.
Ekspertët e OBSH-së u bënë thirrje të moshuarve dhe grupeve të tjera vulnerabël që të bëjnë vaksinat përforcuese nëse është e nevojshme.
Sipas Van Kerkhove, vaksinat kundër Covid-19, aktualisht të disponueshme, mbrojnë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, kur infektohen me variante të reja të virusit.
“Ndërkohë, vetëm 42 raste të variantit të ri BA.2.86 i njohur edhe si “Pirol”, të cilin OBSH-ja e ka monitoruar që nga mesi i gushtit, janë regjistruar në mbarë botën në 11 vende”, tha ekspertja.
Raporti zyrtar i 28 ditëve të fundit konfirmon mbi 81% raste më shumë e sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, Italia është vendi i dytë në botë për numër të personave të infektuar, 28 998 në një muaj, e pas Koresë së Jugut që ka regjistruar 1.3 milionë e 73% më shumë se një muaj më parë.
Këtij alarmi i shtohen dhe të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit i cili informon se përgjatë muajt të fundit në Itali janë shtuar me 25.8% të infektuarit nga varianti Eris (EG,5) e koeficienti i vdekshmërisë me 47.7% më shumë.
Variantet e reja të Covid 19, Pirola e Eris, e rritja e personave pozitivë gjatë javëve të fundit, mund të çojnë në detyrimin e testeve anticovid për cdo person që kërkon shërbim në spitalet italiane.
Ndërsa me nisjen e sezonit të ri shkollor autoritetet italiane rekomandojnë familjet të ndjekin protokollin e asaj çka është përcaktuar dhe gjatë pandemisë për rastet kur fëmijët shfaqin temperaturë apo simptoma të ngjashme me virusin./Burimi: Ora News