Secondary Adv

Raporti i kredive me probleme u rrit lehte ne korrik

Raporti i kredive me probleme të sektorit bankar shënoi një rritje të lehtë në muajin korrik.

 

Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, ky raport u rrit në 5.28%, nga 5.2% që kishte qenë në muajin qershor.

 

Raporti i kredive me probleme ndodhet afërsisht në të njëjtin nivel me një vit më parë.

 

Rritja e korrikut vlerësohet se ka ardhur kryesisht nga rënia e vlerës totale të kredisë për ekonominë ose nga emëruesi i raportit të kredive me probleme.

 

Vlera e portofolit të kredisë në muajin korrik zbriti në vlerën e 704.5 miliardë lekëve, rreth 9 miliardë lekë më pak krahasuar me qershorin.

 

Në një masë të madhe kjo ecuri është ndikuar edhe nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit, që ka ulur vlerën e portofolit në valutë të huaj.

 

Gjithashtu, problemet me funksionimin e shërbimeve të Kadastrës gjatë muajit korrik kanë ndikuar ndjeshëm edhe në frenimin e kredidhënies së re. Këto zhvillime janë reflektuar edhe në rritjen e raportit të kredive me probleme.

 

Deri tani, rritja e raportit të kredive me probleme ka qenë e vogël dhe poshtë projeksioneve të fundit të vitit të kaluar. Nivelet e larta të inflacionit në gjysmën e dytë të vitit të kaluar krijuan pritshmëri për një përkeqësim të treguesit të kredive me probleme gjatë vitit 2023.

 

Projeksionet mbështeteshin në uljen e pritshme të rritjes ekonomike gjatë këtij viti, por edhe të efektit të rritjes së normave të interesit.

 

Të dhënat e tremujorit të parë treguan në fakt një ngadalësim të rritjes ekonomike, por vlerësohet se rritja është përmirësuar gjatë dy tremujorëve në vazhdim, sidomos falë efektit pozitiv të turizmit.

 

Ndërkohë, rritja e normave të interesit këtë vit u frenua në mënyrë të papritur dhe faktorët kryesorë ishin rënia e inflacionit dhe sidomos forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor.

 

Leku i fortë ka përthithur një pjesë të presioneve të huaja inflacioniste dhe i ka lejuar Bankës së Shqipërisë të mbajë një normë interesi ndjeshëm më të ulët krahasuar me shumicën e ekonomive të tjera europiane.

 

Në mënyrë më direkte, forcimi i Lekut ka neutralizuar efektin e rritjes së normave të interesit për huamarrësit me kredi në Euro dhe të ardhura në monedhën vendase.

 

Edhe Banka e Shqipërisë vlerëson se lëvizja e raportit të kredive me probleme deri tani ka qenë relativisht e ulët dhe e parë në një perspektivë të gjerë kohore, kjo luhatje konsiderohet brenda intervaleve të pranueshme.

 

Mbajtja nën kontroll e treguesit të kredive me probleme, paralelisht me rritjen e normave të interesit, ka ndihmuar në rritjen e mëtejshme të rezultatit financiar të sektorit bankar.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi neto i sektorit bankar sipas standardeve të mbikëqyrjes arriti vlerën e 14.7 miliardë lekëve, me një rritje prej 127% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Fitimi sipas standardeve lokale është edhe më i lartë se fitimi prej 13.6 miliardë lekësh i raportuar për të njëjtën periudhë, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS).

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/raporti-i-kredive-me-probleme-u-rrit-lehte-ne-korrik/)


Më të lexuarat