Bursa e energjise, ALPEX kerkon aplikimin e 3 tarifave te reja
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, ALPEX kërkon aplikimin e tarifave shtesë për anëtarët e saj.
Kërkesa është depozituar pranë Entit Rregullator të Energjisë, që ka nxjerrë për konsultim propozimin e ri.
Referuar dokumentit, përveç 13 tarifave ekzistuese ALPEX kërkon aplikimin e tarifave për tregtimin në emër të dikujt tjetër, për përodrimin e aplikacionit të bursës, si dhe tarifa për certifikatën digjitale për përdorues.
Sipas listës së propozuar, kërkohet aplikimi i tarifave prej 20 euro për çdo urdhër-porosi për tregtimin në emër të dikujt tjetër, 2000 euro në vit për përdorimin e aplikacionit dhe 50 euro në vit për certifikatën dixhitale.
Ndërkaq, në propozimin e ri është hequr tarifa variabël e klerimit prej 0,015 euro/ mWh për kontratat dypalëshe – Over the Counter (OTC).
ALPEX e argumenton aplikimin e tarifave të reja, me nevojën për krijimin e të ardhurave shtesë, me qëllim përmirësimin e situatës së vet financiare ose për të akomoduar kërkesat për ndryshim nga anëtarët e bursës.
Sipas ALPEX, tregu i energjisë ka ndryshuar me prezencën e më shumë aktorëve të rinj dhe priten të tjerë aktorë, duke sjellë kompleksitet më të madh, që përfshin prezantimin e tregjeve të tjera rajonale, rritje më të shpejtë të burimeve të rinovueshme dhe zhvillimin e teknologjisë në tërësi.
Në këtë kuadër, kërkohet më shumë automatizim i proceseve me sisteme të reja, standardizimi i proceseve në APLEX në funksion të sigurisë së informacionit, zhvillimi i stafit, prezenca e ALPEX-it në forume, panaire dhe konferenca rajonale dhe europiane.
Aktualisht, në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike janë anëtarësuar 14 subjekte, 5 prej të cilëve janë kompanitë publike të energjisë./Burimi: SCAN