Secondary Adv

Koncesionet e naftes, KLSH: Ja skema se si fshihen te ardhurat

Qeveria fal duke “harruar” detyrimet e kompanive të huaja në sektorin e naftës, ndërkohë që po lejon shitjen e koncesioneve.

 

Në raportin e KLSH-së për vitin 2015, analizohet zbatimi kontratave hidrokarbure, ku vetëm “Bankers Petroleum” rezulton të ketë fshehur 504.4 milionë dollarë të ardhura.Në raport njoftohet se për faktet dhe përgjegjësitë e zyrtarëve në vite për abuzimet në sektorin e naftës i janë dërguar Prokurorit të Përgjithshëm dhe Presidentit të Republikës.


Patos-Marinëz
Nga auditimi i Marrëveshjes Hidrokarbure për vendburimin Patos – Marinëz, sipas raportit të KLSH-së, rezulton se për periudhën nga fillimi i operacioneve të vlerësimit deri më tani, janë kryer një sërë ndryshimesh në planet e zhvillimit, për vitet 2005, 2009, 2011. “Në rast se nuk do të kishim ndryshim të paargumentuar të planeve të zhvillimit, planeve të punës dhe buxhetit të kryer, shteti do të kishte përfituar deri në fund të vitit 2014, përveç rentës minerare prej 199,4 milionë USD edhe një shumë prej afro 305 milionë USD, si pjesë e fitimit nga prodhimi i naftës”, thekson raporti. Nga auditimi me zgjedhje i vërtetimeve të përjashtimit nga TVSH dhe i kontratave të vëna në dispozicion nga ana e AKBN-së, ka rezultuar se në këto vërtetime nuk është e argumentuar arsyeja përse shërbimet e ofruara nga nënkontraktori përbëjnë operacion hidrokarbur apo përmbajtja nuk të çon drejt një operacioni hidrokarbur.

 

KLSH ka evidentuar se AKBN ka lëshuar vërtetime të pambështetura përjashtimi në vlerën 316 milionë lekë (vetëm në një kontratë dhe për një periudhë mjaft të kufizuar auditimi). Përgjatë auditimit, KLSH është fokusuar mbi respektimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë, për përjashtimet e akcizës dhe TVSH-në të operacioneve hidrokarbure të përdorimit të gazoilit (holluesit) në procesin teknologjik. “Konstatuam se nisur nga sasitë e deklaruara të përdorura dhe asaj që duhej të përdorej në referencë të niveleve teknike, rezulton se është përdorur rreth 100 000 m3 hollues gazoil më tepër nga nevojat reale teknologjike. Kjo sasi e shumëzuar me vlerën mesatare minimale të blerë nga furnitori që rezultonmë çmim rreth 1000 USD/m3, jep vlerën prej 100 milionë USD efekt i drejtpërdrejtë negativ në vlerësimin e të ardhurave. Kjo sasi e pretenduar e përdorur (për arsyen se i mungon monitorimi i strukturave të shtetit për destinacionin final që është injektimi në pus), lë shkak për të ngritur hipotezën e një evazioni fiskal dhe një kontrabande të bërë në tregun shqiptar.

 

“Theksojmë që në vlerën prej 100 milionë USD, nuk kemi shtuar diferencën e çmimit të holluesit të blerë dhe të shitjes së holluesit, pas kalimit të procesit teknologjik, pra pjesa e naftës së padeklaruar që duhet të ishte nxjerrë nga shtesa e holluesit kanë sjellë të ardhura të padeklaruara (evazion fiskal) në vlerën 81 682 623 USD”, nënvizon raporti. Kjo situatë u verifikua edhe nga auditimi i dy kontratave Stream Oil & Gas dhe Transoilgroup Ltd që operojnë në fushën e nxjerrjes së naftës, pasi është përdorur hollues në operacionet hidrokarbure, por nuk konstatohet reflektim të kësaj sasie në sasinë e naftës së nxjerrë. Mungesa në të ardhurat rezulton për Stream Oil & Gas në 2.32 milionë USD dhe 2.48 milionë USD për Transoilgroup Ltd. Evazioni fiskal në këto raste shoqërohet me efekte të ndjeshme në llogaritjen e fitimit.


Shitjet
Nga auditimi, kemi konstatuar dëme të shkaktuara në transaksionet hidrokarbure. Kështu, në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve hidrokarbure për zonën Ballsh – Hekal, Gorisht – Kocul, Cakran – Mollaj dhe vendburimi Delvinë, AKBN dhe Albpetrol ka miratuar kalimin e interesave të marrëveshjes nga kompania “Stream Oil & Gas ltd” te  kompania “TransAtlantic Albania ltd”, në kundërshtim me marrëveshjet hidrokarbure. Kompania TransAtlantic ka marrë përsipër shlyerjen e një pjese të detyrimit me vlerë 7 424 mijë USD, ose 942,940 mijë lekë, por jo detyrimet e plota, e për pasojë Albpetrol ka pësuar humbje në vlerën 10.5 milionë USD, ose 1 336 167 mijë lekë. Faktet e muajit të fundit ku dhe kjo kompani i shet aksionet një kompanie tjetër e vështirëson edhe më tepër kthimin e detyrimeve. Ndërkohë, detyrimi i prodhimit para ekzistues (para marrëveshjes) dhe pjesa e Albpetrol për naftën bruto, i pa dorëzuar shoqërisë Albpetrol deri me datë 31 mars 2015, nga kontraktorët arrin në vlerën 220 818 mijë lekë. Detyrimet janë krijuar në periudha kur çmimi i naftës bruto ka qenë disa herë më i lartë se çmimi aktual. Detyrimet kanë ardhur duke u akumuluar dhe shlyerja e tyre në këtë periudhë, shoqërohet me humbje për arsye të rënies shumë të madhe të çmimit të karburanteve në bursë. KLSH i ka rekomanduar Albpetrol të kërkojë informacion të detajuar nga të gjithë kontraktorët për asetet e përfshira si vlerë në kostot hidrokarbure të cilat mund të jenë përdorur si kolateral për kreditim, me synim parandalimin e humbjeve në rastin e tërheqjes së mundshme të kompanive nga marrëveshja hidrokarbure.


Më të lexuarat