
Rihapet me 18 Shtator ankandi i obligacioneve 15 vjecare
Në fillim të javës së ardhshme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të zhvillojë një rihapje të ankandit obligacioneve me maturim 15 vjeçar.
Ankandi është rihapje e emetimit të datës 22 shkurt të këtij viti.
Obligacionet me maturim 15-vjeçar janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara nga qeveria shqiptare dhe përfaqësojnë një mundësi e mirë për investitorët që synojnë instrumentet me kthime më të larta.
Shuma e planifikuar e huamarrjes nëpërmjet këtij ankandi do të jetë 1.5 miliardë lekë, megjithatë rregullat i lejojnë Ministrisë së Financave ta rrisë shumën e pranuar deri në 15% të asaj të shpallur paraprakisht.
Në ankandin fillestar, të muajit shkurt yield-i uniform i pranuar dhe kuponi i obligacionit shënuan nivelin 6.8%. Ndërkohë, në rihapjen e parë të ankandit, që u zhvillua në fillim të muajit maj, yield-i uniform i pranuar shënoi rritje në 7.08%.
Ankandi i javës së ardhshme do të jetë i pari për këto instrumente qysh prej muajit maj. Ndërkohë, gjatë muajve të verës yield-et e bonove dhe obligacioneve të qeverisë në përgjithësi janë shfaqur të qëndrueshme, pa luhatje shumë të rëndësishme mes ankandeve të ndryshme.
Korrigjimi i rritjes së yield-eve në pjesën e parë të këtij viti është një tregues i stabilizimit të tregut financiar dhe zbutjes së shqetësimeve inflacioniste.
Obligacionet 15-vjeçare janë veçanërisht një alternativë e mirë për investitorët institucionalë, veçanërisht për fondet e pensioneve private. Megjithatë, norma e kthimit të këtyre instrumenteve mund t’i bëjë një alternatvë me interes edhe për investitorë të vegjël.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për 6-mujorin e parë të këtij viti individët kanë investuar më shumë se 5.5 miliardë lekë në tregun primar të obligacioneve të qeverisë shqiptare, në rritje me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Prej tetorit të vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka ulur shumën minimale të pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve në 300 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që ishte më parë.
Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve mund të bëhet nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj.
Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.
Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand.
Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese.
Sipas udhëzimit, shuma e ofruar e obligacioneve ndahet me 20% për kërkesat jo konkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jo konkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese.
Në rastin kur shuma totale e kërkesave jo konkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëherë mbi këtë shumë zbatohet pro rata (përpjesëtimi).
Në rast se shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/javen-e-ardhshme-zhvillohet-rihapja-e-ankandit-te-obligacioneve-15-vjecare/)
Më të lexuarat








