
ERE, vetem ne gusht nis 5 procedura licencimi per HEC-e dhe impiante diellore
Projektet e energjisë kanë marrë një ritëm të ri që pas nisjes së krizës në vitin 2021 ku bizneset kanë nxituar me projektet e zbatimit.
Vetëm në muajin gusht Enti Rregullator i Energjisë (ERE) nisi procedurat për licencim të tre hidrocentraleve dhe dy impianteve diellorë me një kapacitet të përafërt të instaluar prej 15 MW në total.
Konkretisht ERE nisi procedurën për licencimin e HEC Selca nga shoqëria Selca Energji e cila ka rritur kapacitetin nga 1.6 MW në mbi 1.9 MW.
“Në mbledhjen e tij të datës 09.08.2023, Bordi i ERE-s vendosi të fillojë procedurën për modifikimin e licencës së shoqërisë “Selcë energji” shpk në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC Selca,
me vendndodhje në fshatin Selcë, Njësia Administrative Tamarë, Malësi e Madhe, për rritjen e kapacitetit të instaluar të këtij HEC-i nga 1,6 MË në 1,98 MW” thuhej në vendimin e Entit.
Ndërkohë dy HEC-e të tjera por që i përkasin një projekti të përbashkët zbatuar nga Gealb Energy kanë kërkuar licencim për një kapacitet total 9.3MW.
“Në mbledhjen e tij të datës 23.08.2023, Bordi i ERE-s vendosi të fillojë procedurën për licencimin e shoqërisë “Gealb Energy” shpk në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet “Guri i Bardhë 1” me fuqi të instaluar 5360KW dhe “Guri i Bardhë 2” me fuqi të instaluar 3940KW,
me vendndodhje në pellgun ujëmbledhës të përrenjve të Zallit të Dishit dhe të Shehut (degë e lumit Mat), Fshati Guri i Bardhë, Njësia Administrative Xibër, Bashkia Klos, Qarku Dibër, me kapacitet total të instaluar 9300 kW” njoftoi Enti.
Dy projekte të tjera i përkasin energjisë fotovolatike dhe konkretisht impianteve diellorë deri në 2MW të cilët nuk janë objekt koncesioni.
Së pari Enti njoftoi procedurën e licencimit për Joint Venture 2B 1979 dhe 2T shpk” në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik me kapacitet të instaluar 2 MW, me vendndodhje në zonën Grykë, Bashkia Fier, Qarku Fier.
Së dyti licencimin e shoqërisë “IDI 2005” shpk në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik “TEKSOEN 1” me kapacitet të instaluar 2 MW, me vendndodhje në njësinë Administrative Povelçë, Bashkia Fier, Qarku Fier.
Licencimet e shoqërive të reja kanë qenë të shumta këtë vit teksa kriza e energjisë ka bërë që investimet në sektor të rriten.
Kjo ka qenë evidente si në projektet e autokonsumit edhe për projektet me qëllim tregtar. Leverdishmëria e kthimit të investimit është rritur si rrjedhojë e çmimeve që në vitin 2022 arritën rekord në bursat e energjisë ndërsa këtë vit janë shfaqur më të qëndrueshme por sërish mbi mesataren historike.
Më të shpejta investimet duket se janë tek fotovolatikët duke i prirë kështu edhe politikës së diversifikimit si një formë për të rritur sigurinë energjetike të vendit që u lëkund në kulmin e krizës së energjisë vitin e kaluar./
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/energjia-ere-vetem-ne-gusht-tre-procedura-licencimi-per-hec-e-dhe-dy-per-impiante-diellore/)
Më të lexuarat








