
Fitimi i sektorit bankar arrin ne 17.5 miliarde leke ne 2023
Fitimi i sektorit bankar sipas standardeve lokale të mbikëqyrjes të aplikuara nga Banka e Shqipërisë vijoi rritjen edhe gjatë muajit korrik.
Sipas të dhënave nga banka qendrore, fitimi progresiv neto i sektorit për 7-mujorin arriti vlerën e pothuajse 17.5 miliardë lekëve, në rritje me 2.8 miliardë lekë të tjera krahasuar me fundin e muajit qershor.
Fitimi i sektorit bankar është dukshëm në nivelin më të lartë historik për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me 7-mujorin e vitit të kaluar, rezultati neto i sistemit bankar është rritur me 135%.
Performanca më e mirë financiare këtë vit i ka rritur ndjeshëm edhe treguesit e rentabilitetit. Kthimi nga kapitali aksioner (ROE), mesatarizuar me bazë vjetore, është rritur në 16.15%, nga 7.06% që kishte qenë në mesin e vitit të kaluar.
Ndërsa kthimi nga aktivet para taksave (ROA) është rritur në 1.86%, nga 0.77% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kthimi nga kapitali dhe kthimi nga aktivet janë në nivelet më të larta që prej janarit 2019.
Megjithëse zërat e detajuar të të ardhurave dhe shpenzimeve nuk janë të disponueshme me bazë mujore, mbështetur në ecurinë e këtyre treguesve deri në fund të tremujorit të dytë, mund të thuhet se rritja e fitimeve të sektorit bankar ka ardhur kryesisht nga zgjerimi i bazës së të ardhurave, por edhe nga mbajtja nën kontroll e portofolit të kredive me probleme.
Rritja e normave të interesit ka dhënë padyshim një efekt pozitiv në të ardhurat e bankave nga interesat. Të ardhurat për interesa janë rritur në një masë më të madhe se shpenzimet për interesa, duke rezultuar në rritje të rezultatit neto nga interesi.
Pritej që treguesi i kredive me probleme të sektorit bankar këtë vit të shënonte një farë rritjeje, për shkak të normave më të larta të interesit dhe rritjes më të ngadaltë ekonomike. Por, deri tani kjo rritje ka qenë e ulët.
Treguesi i kredive me probleme në fund të muajit korrik afërsisht 5.3%, me një rritje të lehtë prej 0.3 pikë përqindje që nga fillimi i vitit dhe afërsisht në të njëjtën nivel me korrikun e një viti më parë.
Vlerësohet se forcimi i Lekut dhe frenimi i rritjes së mëtejshme të normave të interesit nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një efekt pozitiv në aftësinë paguese të kredimarrësve, duke ndihmuar në mbajtjen në nivele të menaxhueshme të raportit të kredive me probleme.
Në kushtet kur të ardhurat po rriten dhe shpenzimet për provigjione nuk po shënojnë rritje shqetësuese, rezultati financiar i bankave vazhdon të rritet dhe të paktën në vlerë absolute, është në nivele rekord.
Rritja e fitimeve, ndër të tjera, po mundëson sektorit bankar të përballojë rritjen graduale të kërkesave për kapital, për shkak të kërkesave të kuadrit të ri për ndërhyrjen e jashtëzakonshme dhe për masat makroprudenciale.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/7-mujori-fitimi-i-sektorit-bankar-arrin-ne-17-5-miliarde-leke/
Më të lexuarat








