Lidhet kontrata, rruga Shkozet-mbikalimi Plepa do te asfaltohet
Nyja Shkozet-mbikalimi Plepa do t’i nënshtrohet riveshjes, sistemimit dhe asfaltimit në harkun kohor të një muaji.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi lidhjen e kontratës me kompaninë fituese A.L-ASFALT për një vlerë rreth 125 milionë lekë apo 1.13 milionë euro pa përfshirë këtu Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Përgjatë gjithë sezonit turistik kjo rrugë që ka qarkullimin më të madh dhe ku kalon trafiku që shkon drejt Jugut të vendit qëndroi në gjendje të degraduar.
“Ky segment, pjesë e anashkalimit të Durrësit, është shumë i rëndësishëm pasi shërben për lidhjen e superstradës Tiranë – Durrës nga Nyja e Shkozetit deri në Mbikalimin e Plepave ku lidhet me rrugën Tiranë – Ndroq – Plepa dhe rrugën Plepa – Kavajë – Rrogozhinë.
Të gjitha mjetet e zonës së veriut që lëvizin drejt jugut dhe ato të Portit të Durrësit kalojnë në këtë segment rrugor”, thuhet në dokumentet e procedurës.
Sipas kontratës kompanisë që ka fituar tenderin i janë lënë katër javë kohë për të zbatuar gjithçka dhe konkretisht në 2 tetor rruga sipas njoftimit duhet të ketë përfunduar.
Në procedurën e prokurimit morën pjesë 17 kompani nga të cilat 6 arritën të kualifikoheshin me një ofertë të rregullt.
Projekti për riveshjen e rrugës
“Ky segment rrugor ku do të ndërhyhet ka një gjatësi prej 4.2 km me dy karrexhata me trafikndarës tip new jersey, me gjerësi të shtresës asfaltike 7 m në të dy senset e lëvizjes.
Ndërhyrja parashikon skarifikimin (frezimin) e të gjithë shtresës së tapetit dhe shtresën e binderit në rreth 30% të sipërfaqes. Gjithsesi pas heqjes së shtresës së tapetit do të përcaktohet saktë sipërfaqe dhe thellësia e saktë e ndërhyrjes në shtresën e binderit dhe nënshtresat e tjera.
Pas frezimit do të vazhdohet me profilimin e shtresës së binderit me trashësi 6cm dhe asfaltimin e shtresës së tapetit me trashësi 4cm”, nënvizon ARRSH.
Për lëvizjen gjatë kësaj periudhe do të ketë edhe një plan menaxhimi trafiku i cili do të ndryshojë sipas avancimit të punimeve në vazhdimësi.
Teksa kontrata për zbatimin e projektit tashmë është lidhur ajo për mbikëqyrjen e saj është aktualisht e ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kater-jave-per-asfaltimin-e-shkozet-mbikalimi-plepa-lidhet-kontrata/