
Rritja e cmimeve te references shton edhe tatimin mbi te ardhurat nga shitblerja
Me rritjen e çmimeve të referencës sipas Shoqatës së Ndërtuesve, do të paguhet më tepër tatim mbi të ardhurat edhe kur kryhen transaksione shitjeblerje të pronës.
Në rast shitje të një pasurie të paluajtshme diferenca e vlerës së pronës nga blerja tatohet 15%. Vlera e shitjes së pasurisë së paluajtshme nuk mund të deklarohet nën çmimet e referencës së përcaktuara nga qeveria.
Shoqata e Ndërtuesve shpjegon se nga Agjencia e Kadastrës tatimi mbi të ardhurat 15% llogaritet nga diferenca e vlerës së pronës së blerë sipas çmimeve referuese për metër katror të mëparshëm, dhe vlerës së shitjes që do të vlerësohet me çmimet e ndryshuara të referencës.
Ndryshimet e vendimit të 2018-s të botuara në fund të muajit korrik 2023 që hynë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare rritën çmimet fiskale të apartamenteve për 32 zonat kadastrale të Tiranës nga 5 deri 76%.
Ndërsa për 5 njësitë administrative, si: Dajt, Farkë, Kashar, Petrelë dhe Pezë çmimet fiskale u shtuan nga 29 deri 60% më shumë se 2018.
Sipas shoqatës së Ndërtuesve tatimi mbi të ardhurat do të rritet edhe për pronat e rivlerësuara më 2021, pasi rivlerësimi i pasurisë kundrejt tatimit 3% u bë me çmimet minimale fiskale, që ishin në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit.
Edhe për rivlerësimin, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme.
Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet sërish si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme.
Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi fiskal. Për vitin 2021 sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) më herët për Monitor u kryen 56,623 aplikime për rivlerësimin e shtëpive.
Ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me tatim 3% nga 15% që është në kohë normale nisi zbatimin nga 1 janari 2020 dhe parashikohej të përfundonte më 30 shtator 2020.
Për shkak të situatës të krijuar nga Covid-19 ku puna në sportelet e kadastrës shtetërore u pezullua nga frika e përhapjes të infektimeve afati i përfundimit u shty deri më 31 dhjetor 2020.
Afatet e përfundimit të rivlerësimit u ndryshuan përsëri, për shkak të numrit të ulët të aplikimeve nga situata e krijuar nga pandemia, duke vendosur si afat të mbylljes të amnistisë 31 dhjetorin 2021.
Aktorë të tregut të pasurive të paluajtshme me përfundimin e procesit të rivlerësimit në 2021 pohuan se për 2022 do të ketë rritje të çmimeve të apartamenteve deri 10%.
Çmimet e apartamenteve shënuan rritje edhe përpara rivlerësimit në 2021 për shkak të shtrenjtimit të kostove të ndërtimit sipas agjencive të pasurive të paluajtshme.
Në ndërtimet e reja që u ngritën në kryeqytet brenda vijës të verdhë nga 2022 sipas agjentëve imobiliarë nuk kishte apartamente me çmim nën 1,000 euro/m2.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/rritja-e-cmimeve-te-references-do-te-shtoje-edhe-tatimin-mbi-te-ardhurat-te-shitblerja-e-apartamenteve/
Më të lexuarat








