INSTAT: Eksportet pesojne renie me 13 per qind gjate muajit Mars
Në raportin e fundit të INSTAT thuhet se në muajin Mars 2016 eksportet e mallrave arritën vlerën 19 mld lekë, duke u ulur me 12,8 % në krahasim me Mars 2015.
Sipas njohësve të ekonomisë eksportet janë një ndër shtyllat kryesore që mbajnë në këmbë ekonominë shqiptare dhe ngadalësimi i tyre dëshmon për vështirësi të biznesit dhe rënie të prodhimit vendas.Efektin kryesor në këtë rënie të ndjeshme të eksporteve në krahasim me të njëjtën periudhë e kanë dhënë mineralet me -10.6 % si dhe materialet e ndërtimit me -8,4 pikë përqindje. Rënia në nëngrupin minerale është e lidhur me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare ku ka pasur rënie të ndjeshme të çmimeve.
Ndërsa materialet e ndërtimit lidhen me ngërçin në të cilin ndodhet ky sektor që prej nisjes së krizës ekonomike por edhe si rezultat i mosdhënies së lejeve të ndërtimit. Ndërkohë Importet e mallrave në muajin Mars 2016 arritën vlerën 46 mld lekë, duke u rritur me 4,6 % në krahasim me Mars 2015.Fasonët ndërkohë vijojnë që të japin kontribut në ekonominë shqiptare dhe gjatë marsit nën grupi “Tekstile dhe këpucë” është rritur me 6,8%. Në krahasim me muajin shkurt të 2016 eksportet janë rritur me 9.9%.
Në muajin Mars 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Mars 2015 janë: Italia me 3,7 %, Malta me 110,6 % dhe Greqia 1,0 %. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova me 32,1 %, Maqedonia me 19,8 %, dhe Kina me 37,1 %.