Paga mesatare ne vitin 2015, 46.800 leke. Rritja reale vetem 0.8 per qind
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, paga mesatare në ekonomi regjistroi një rritje modeste me 2.8%. E indeksuar me normën vjetore të inflacionit, që për vitin 2015 ishte 2%, rritja reale e pagave në ekonomi rezulton vetëm 0.8%.
Aktualisht, sektori me pagën mesatare më të lartë është ai i aktiviteteve të organizatave ndërkombëtare, ku çdo punonjës paguhet rreth 128 mijë lekë në muaj. Përtej këtij sektori, që sidoqoftë ka një peshë të vogël kundrejt punësimit total në ekonomi, punët më të paguara në Shqipëri ngelen ato në sistemin financiar dhe në sektorin e komunikimit dhe informacionit.
Sipas Instat, paga mesatare në sektorin financiar arriti në 95,500 lekë, me një rritje prej 3.3% krahasuar me vitin 2014. Ndërkohë, në sektorin e komunikimit dhe informacionit, paga mesatare arriti në afro 71,600 lekë, por këtu pagat kanë rënë me rreth 1.9% krahasuar me vitin 2014.Pagesat më të larta në këta dy sektorë lidhen me faktin që ato kërkojnë pothuajse tërësisht forcë pune të diplomuar dhe të specializuar. Megjithatë, në një masë të caktuar, shifrat reflektojnë edhe një shkallë më të lartë të formalizimit të pagave në këta sektorë.
Për t’u evidentuar është fakti se sektorë të veçantë të ekonomisë kanë pësuar një rënie drastike të pagave gjatë vitit të kaluar. Shembulli më tipik është industria nxjerrëse, ku paga mesatare bruto, për vitin 2014 kishte qenë 106 mijë lekë, ndërsa në vitin 2015 ra në më pak se 64 mijë lekë.Rënia me 40% e pagës mesatare është një tregues i qartë i krizës së sektorit, për shkak të rënies së çmimit të lëndëve të para në tregje. Ndërkohë, sektori me pagën mesatare më të ulët në ekonomi ngelet transporti dhe magazinimi, ku çdo punonjës paguhet mesatarisht 25 mijë lekë në muaj.Një zhvillim pozitiv për vitin e kaluar ishte ngushtimi i hendekut gjinor në paga. Për vitin 2014, diferenca në pagën mesatare mes meshkujve dhe femrave ishte 10%, ndërsa në vitin 2015 ky hendek zbriti në rreth 7%.