Secondary Adv

Zhvillimi i turizmit, hotelet po i rrisin te ardhurat me shpejt se restorantet

Shqipëria po përjeton zhvillime pozitivë në sektorin e turizmit, por të dhënat e para tregojnë se hotelet kanë rritur të ardhurat nga shitjet me shumë se restorantet.

 

Sipas të dhënave të INSTAT indeksi i shitjeve në vlerë në sektorin e hotelerisë shënoi rritje vjetore me 30.7 për qind në 3-mujorin e dytë të vitit 2023.

 

Restorantet kishin gjithashtu rritje, por me një ritmet më të ulëta se hotelet. Indeksi i shitjeve në restorante u rrit me 16 për qind në krahasim me 3-mujorin e dytë të vitit 2022.

 

Shqipëria u reklamua si një destinacion i lirë dhe për këtë fakt shumë turistë të huaj nga Europa Perëndimore zgjodhën vendin tonë për pushimet vjetore.

 

Rritja e të ardhurave për këto aktivitete duket se është ndikuar më shumë nga rritja e çmimit. Ballafaqimi i të dhënave zyrtare tregon për informalitet të lartë në sektorin e turizmit. Sipas INSTAT në vitin 2022, ekonomia shqiptare xhiroi rreth 4,5 trilionë lekë.

 

Hotelet dhe restorantet kontribuuan me 11.8% të xhiros totale në ekonomi, nga vetëm 2.3% në vitin 2021. Por nga ana tjetër kontributi i turizmit në punësimin më pagë mbeti i pandryshuar në vitin 2022 në krahasim me 2021.

 

Kontributi në punësim vijoi të jetë i zbehtë edhe këtë vit. Indeksi i punësimit në bizneset e hoteleve shënoi rritje vjetore me 4.2 për qind në tremujorin e dytë 2023, ndërsa restorantet shënuan rritje vjetore te indeksit të punësimit me 1.6%.

 

Sektori i turizmit shfaqi kërkesë të lartë për punonjës, por një pjesë e madhe nevojave po plotësohen me të huaj si pasojë e mungesave brenda vendit. Referuar të dhënave, Shqipëria u vizitua vetëm përgjatë muajit gusht nga më shumë se 2 milionë të huaj.

 

Nga 5 667 121 të huaj që vizituan vendin përgjatë 8-mujorit të vitit 2022, gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, Shqipëria u vizitua nga 7 190 410 vizitorë të huaj, duke shënuar kështu një rritje prej 27%.

 

Ndërkohë, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në 6 mujorin e parë të vitit 2023, shpenzimet e të huajve që udhëtuan drejt Shqipërisë shënuan rritje me 37% përkundrejt 6-mujorit të parë të 2022-shit, duke arritur 1.55 miliardë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/turizmi-hotelet-po-i-rrisin-te-ardhurat-me-shpejt-se-restorantet/


Më të lexuarat